Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka ndërprerë seancën konstituive pa e hedhur në votim Komisionin për votim të fshehtë, duke dështuar kështu për të 51-ën herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës derisa afatit 30-ditor, të dhënë nga Gjykata Kushtetuese që i obligon deputetët ta konstitujnë Kuvendin, i kanë mbetur vetëm edhe tri ditë.
Ndërprerja e seancës ndodhi për shkak të një fjalosjeje mes kryesuesit Dehari dhe deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, e cila insistoi që t’i lejohet fjala në foltore.
Seanca dështoi pavarësisht se Vetëvendosje e Albin Kurtit me 48 depuetë dhe Nisma e Fatmir Limajt me tre deputetë iu kanë hyrë negociatave për të gjetur një marrëveshje që do të mund t’i jepte vendit institucionet e munguara që afër pesë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve.
Sidoqoftë, Vetëvendosje edhe në këto negociata po këmbëngul se posti i kryeparlamentarit s’i jepet një partie me tre deputetë, ndërsa Fatmir Limaj ka deklaruar se s’është i interesuar për poste qeveritare përveç atij të kryeparlamentarit.
Para nisjes së seancës nga këto parti s’pati sinjale se kanë përafrim përveçse deklaruan që janë në pritje të rezultateve të bisedimeve.
Ndërkohë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me kërkesën që të sqarojë se çfarë do të ndodhë pas 26 korrikut kur përfundon afati i dhënë nga një aktgjykim i qershorit.
“Kërkesa jonë sot, në esencë, është kërkesë për sqarim të pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh”, tha Osmani dje në konferencën për media që e thirri për të treguar për veprimet e ndërmarra në lidhje me bllokadën në Kuvend.
Po ashtu, ajo ka kërkuar një masë të përkohshme për pezullimin e afatit 30-ditor.