Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka komentuar idenë e Qeverisë në detyrë për formimin e xhandarmërisë.
Ai ka bërë me dije se kryeministri në detyrë Albin Kurti këtë po e bën për dy arsyeje.
Në një intervistë për “Express”, Hasani ka thënë se arsyeja e parë është se termi “xhandarmeri” i pëlqen një pjese të elektoratit të Kurtit.
“Janë dy arsye pse Kurti e bën këtë në këtë kohë. E para është se fjala “xhandarmëri” komunikon mirë me votuesin injorant, i cili e sheh atë si strukturë represive që mund të përdoret kundër “gardës së vjetër që ka vjedhur”, pra si instrument për marrjen e pasurisë së fituar pa meritë. Kjo është propagandë klasike, e drejtuar ndaj votuesit të paarsimuar dhe politikisht të papjekur”, ka thënë Hasani, duke treguar arsyen e dytë.
“Arsyeja e dytë lidhet me faktin se zoti Kurti nuk ka kontroll të plotë mbi FSK-në, për shkak se aty rol të madh kanë miqtë ndërkombëtarë të Kosovës, ndërsa Policinë e Kosovës e sheh si jo plotësisht të besueshme dhe të lidhur me qeveritë e kaluara, prandaj vështirë e konsideron si forcë që mund të bëhet plotësisht lojale ndaj tij. Për këtë arsye, ai synon të krijojë një strukturë të re nga e para, të mbushur me militantë dhe njerëz personalisht lojalë ndaj tij”, ka vlerësuar Hasani.













