Ndihmat humanitare për popullin e Gazës po vazhdojnë, teksa kriza humanitare në Rripin e Gazës po thellohet çdo ditë.
Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot, ka bërë të ditur se këtë të premte janë hedhur 40 ton ndihma humanitare për banorët e enklavës palestineze, të cilët po përballen me uri ekstreme.
Në një intervistë për radion franceze Franceinfo, ai theksoi se situata është kritike dhe kërkoi reagim urgjent.
“Nuk ka mbetur asnjë minutë për të humbur”, deklaroi Barrot, duke shtuar se ndihmat përfshinin katër fluturime me nga 10 ton ushqim secila.
Ai po ashtu theksoi se ndihma është e pamjaftueshme për të mbuluar nevojat e mëdha të banorëve të Gazës.
“Rripi duhet të përmbytet me ujë, ushqim dhe ilaçe”, tha ministri francez, sipas euronews.
Hedhjet ajrore të ndihmave rifilluan të dielën, pasi ushtria izraelite njoftoi një pauzë në luftime.
Fluturimet e para u realizuan nga Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa Mbretëria e Bashkuar ishte shteti i parë evropian që u përfshi në këtë operacion, të ndjekur nga Gjermania, Belgjika dhe tashmë Franca, përmes një “rruge ajrore” të përbashkët që kalon nga Jordania.