Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka theksuar se Parisi zyrtar do të vazhdojë ta mbështesë misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR-in, me të gjitha kapacitetet e saj, duke nënvizuar se kjo mbështetje është e rëndësishme sidomos në një kontekst “ku dezinformimi dhe manipulimi i informacionit po bëhen sistematike.”
Komentet e Guerot vijnë pas një reagimi nga disa anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, keqinterpretuan dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri për një operacion kërkim-shpëtimi në Liqenin e Ujmanit duke retushuar fotografitë ku shihej edhe prania e KFOR-it në aksionin në të cilin mori pjesë FSK-ja.
Guerot ka falënderuar mediat kosovare për mbulimin e drejtë të rolit të KFOR-it, duke theksuar se ato kishin pasqyruar saktë “rolin e KFOR-it në përpjekjet për të gjetur trupin e personit të zhdukur në Liqenin e Ujmanit.”
“Që nga krijimi i saj, KFOR-i ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të pazëvendësueshëm në garantimin e sigurisë për të gjithë. Ajo meriton respektin dhe mirënjohjen e të gjithë aktorëve në rajon,”, ka shkruar Guerot në një postim në platformën sociale, X.