Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Letra e Erion Veliajt nga burgu: A po përdoret ky hetim mbi mua si një eliminim politik?

30/07/2025 - 13:42
në Lajme
A A
Letra e Erion Veliajt nga burgu: A po përdoret ky hetim mbi mua si një eliminim politik?
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Në një letër të gjatë publikuar nga paraburgimi, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, akuzon SPAK për një proces të padrejtë dhe të motivuar politikisht.

Ai denoncon rrjedhjen e informacionit hetimor në media përpara se të njoftohej vetë, mungesën e provave për akuzat ndaj tij dhe përfshirjen e të afërmve në hetime.

Veliaj thotë se ndaj tij është ndërmarrë një “persekutim” përmes një vetting-u të thelluar, personal dhe familjar. Ai e cilëson qëndrimin në burg si padrejtësi, por deklaron se do të vazhdojë të luftojë për të drejtën dhe për qytetin e Tiranës.

Postimi i plotë

Miq dhe dashamirës,

Uroj të jeni mirë të gjithë, e teksa përgatiteni të shkoni për pushime me familjet tuaja, ju lus të më kushtoni pak minuta, si përgjigje për letrat tuaja të shumta, pas 6 muajsh burg paradhënie në Durrës.

Javën e kaluar, pesë agjentë të BKH-së mbërritën në IEVP Durrës për të më komunikuar akuzën, edhe pse kisha autorizuar avokatët ta merrnin dosjen në Tiranë. Një orë përpara mbërrijnë fillimisht mediat, të cilat njoftohen sistematikisht për spektaklin me të burgosurin 9216 – qartazi, as nga unë e as nga avokatët, se s’kishim dijeni për vizitën.

Asnjë habi këtu! Prokurorët specialë sigurohen që çdo gjë të rrjedhë në disa media speciale para se ta dijë viktima, në shkelje flagrante ndaj sekretit hetimor, prezumimit të pafajësisë, Kushtetutës së vendit dhe të drejtave themelore të njeriut, kushdo qoftë njeriu e puna e tij.

Mora kohën të lexoja akuzën, e cila ishte copy-paste me kërkesën e paraburgimit, shto këtu përgjimet me familjen, të 9216-ës, nga telefoni i burgut dhe furgoni i burgut, ku pas tre ditëve maratonë për masën m’u desh të qetësoja familjen për këtë ndarje therëse prej tyre dhe qytetit, të cilin e dua dhe i shërbej. Këto shtesa të akuzave për “agjitacion e propagandë” në burg, shërbejnë vetëm për të theksuar se sa e dobët është akuza fillestare, sa të cekta provat, dhe sa në siklet duhet të ndihen prokurorët e mi për hetimin e tyre. Ata kanë prodhuar asgjë më shumë se sa një innuendo – thashetheme, letra anonime, fletë-rrufe, shpifje, sajesa e supozime për një thriller sherifash, të cilat jam i bindur se nuk do të qëndrojnë as në gjykatë.

Në finale të një vetting-u personal, familjar dhe fisnor, nga viti 2004 deri në 2025, dhe një persekutimi 2-vjeçar (fill pas fitores me rreth 160 mijë vota për të tretën herë në Tiranë), me një letër anonime të një kallëzimi të falsifikuar, në emër të një Nesti Angoni që, edhe sipas prokurorëve, “nuk ekziston”, konkluzioni i akuzës qe ky:

Nuk gjendet asnjë shkelje në 2 vjet ministër dhe 10 vjet kryetar bashkie: asnjë projekt, asnjë vendim në shkelje të ligjit. Nuk u gjet asnjë shkelje e imja për inceneratorin, Teatrin, Sheshin Skënderbej, Pazarin e Ri, Piramidën, Stadiumin, Astirin, Bulevardin, lagjet e reja në Kombinat dhe te 5 Maji; as për rrugën “Xhon Belushi” dhe një mijë e kusur rrugë të tjera; as për shkollën “Sami Frashëri” apo 50 shkollat e reja, as për 110 kopshte dhe çerdhe; as për qindra mijë pemë të mbjella e 91 kënde lodrash; as për abonetë falas për pensionistët e studentët, dhe as për procedurat e nisura për drekën falas për nxënësit e Tiranës – të gjitha këto në sitën e hetimit nga SPAK.

Pra, asgjë që lidhet me detyrat e mia si kryetar i zgjedhur 3 herë apo çështjet e super debatuara si këto më sipër.

Lajmi i mirë është se kam kaluar vetting-un 21-vjeçar, të paprecedentë për asnjë politikan në Shqipëri. Shto këtu edhe voyerism-in absurd, intimidimin dhe poshtërimin nga agjentët, në sallë të operacionit, para dy javësh, për t’u siguruar që, përveç vetting-ut të jashtëm, të kaloja edhe vetting-un e brendshëm të të gjithë organeve – nga ezofagu gjer në rektum – shoqëruar nga 30 roje të policive të ndryshme, të burgut, shtetit etj.

Edhe kjo, pjesë e kësaj innuendo të qëllimshme dhe poshtëruese, ku fillimisht zgjidhet preja dhe, nëse nuk gjendet asnjë provë penale në punën e viktimës, kalohet në vetting që nga udhëtimet e moshës 25 vjeç, pa funksion politik, gjer në kolonoskopinë e 2025-ës. Dhe kur prapë nuk gjendet asgjë, i hapin dosje bashkëshortes, vëllait, nënës, vjehrrit të ndjerë, kushërinjve dhe gjithë fisit e rrethit shoqëror – të gjithë në punët e tyre private.

Kujt bosi të drogës ia kanë bërë këtë? Kujt vrasësi serial ia kanë bërë këtë përfshirje të gjithë fisit e shoqërisë? Cilit kriminel i është persekutuar e gjithë familja?

Sot vetëm im bir është pa dosje, por kanë edhe 12 vjet kohë t’ia përgatisin, kur të kapë moshën madhore. Ama, sot e mësuan të gjithë se jetoj në një apartament 2+1, në katin e katërt të një pallati, në një lagje ku bashkëjetoj paqësisht edhe me shumë nga kritikët e punës sime

As në vila, as në resorte, as në kulla!

Por, teksa akuza s’ka asnjë lidhje me punën time në bashki e ministri, disa pyetje mbeten pa përgjigje:

1. Kush është Nesti Angoni dhe për sa politikanë me letra anonime është bërë ky vetting 20-vjeçar, si në rastin tim? A po përdoret ky hetim dhe persekutim mbi mua si një “eleminim politik”, për t’u kthyer në standard të ri për këdo që shënjestrohet?

2. Pse të gjitha gjyqtaret e zonja, të cilave u bie shorti për masën time në GJKKO, papritmas sëmuren dhe dorëhiqen? A ka koordinim prokurori-gjykatë për organizimin e këtij sulmi ndaj kryetarit të zgjedhur të bashkisë?

3. Pse nuk u hetua kurrë denigrimi mediatik nëpërmjet nxjerrjes së gjithë sekreteve hetimore në portalet pranë SPAK, ku dalloheshin qartësisht formatet dokumentare të prokurorëve, dhe jo ato që u jepen avokatëve? Kjo shkelje e rëndë e ligjit nuk mund të ndodhë pa dijeninë dhe aprovimin e SPAK.

4. A ka konflikt interesi kur njëri nga prokurorët ka shprehur haptazi një pakënaqësi për një leje ndërtimi që ka marrë nga bashkia? Në një shoqëri demokratike, a nuk duhet që çdo i pandehur të ketë të drejtën për një prokuror pa konflikt interesi?

5. Pse më ndalohen takimet me avokatët e mi ndërkombëtarë, të cilët po përgatisin çështjen time për në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, edhe pse Konventa Europiane – ku Shqipëria është palë – garanton qartë të drejtën themelore për t’u mbrojtur dhe zgjedhur lirisht përfaqësim ligjor?

6. A u hetua ndonjëherë dhuna 1-vjeçare, me molotovë e zjarr, përpara Bashkisë së Tiranës, e kryer nga individë të maskuar që, sipas raportimeve, transportoheshin nga rrethe të tjera? Kush e koordinoi dhunën që të përkonte me vetting-un tim të paligjshëm? Kush e financoi për 45 javë

7. Nëse hetimi ka përfunduar, përse vazhdoj të mbahem në paraburgim – larg familjes sime dhe qytetit, të cilit i shërbej? A do të kishte kuptim që unë – Kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës – të arratisesha, kur kam lidhje kaq të ngushta familjare, politike dhe shoqërore në Tiranë dhe jam kthyer disa herë në Shqipëri nga jashtë vendit, duke e ditur se kam qenë objekt i këtij hetimi penal? A ka vërtet kuptim që, si Kryetar Bashkie në mandatin e tretë, të kryeja vepra të rënda penale, duke qenë në liri me kusht dhe duke e ditur se jam nën një vëzhgim dhe kontroll të paprecedentë? Unë kam pasur një të shkuar të pastër deri në këtë persekutim, dhe aktualisht gëzoj besimin dhe mbështetjen dërrmuese të shumicës së qytetarëve të Tiranës – pra, a nuk është thjesht e çuditshme të mendohet se do të kryeja vepra të tjera penale? Në fakt, kur pata mundësinë t’u shërbeja qytetarëve të Tiranës, qyteti u transformua rrënjësisht.

Uroj që zyra e shtypit e SPAK të japë përgjigje serioze për të 7-ta këto pyetje; pretendoj të njëjtin seriozitet të paktën, me të cilin rrjedh gjithë dosjen time në media, prej 2 vitesh tashmë. Nëse SPAK-u nuk u përgjigjet dot në një mënyrë të besueshme dhe legjitime këtyre 7 pyetjeve, unë jo vetëm do t’i refuzoj akuzat e padenja, por do të vazhdoj të luftoj për atë që është e drejtë, dhe nuk do të lejoj që, këto abuzime të rënda me pushtetin të vazhdojnë pa i denoncuar ato, bashkë me dëmin që u kanë shkaktuar qytetarëve të Tiranës dhe Shqipërisë.

Pushteti i pamatë i prokurorisë, duke vepruar në mënyrë të koordionuar me aktorë të tjerë, i është mbivendosur dhunshëm dhe në mënyrë të paarsyeshme dhe disproporcionale pushtetit që rrjedh nga populli, me votën sovrane për kryetarin e Bashkisë, në shkelje brutale të Kushtetutës dhe autonomisë vendore.

Ky pushtet pa kontroll, i cili ka vepruar për më shumë se dy vjet në një fushatë të koordinuar sulmesh mediatiko-politike për të masakruar përfundimisht në publik kryetarin aktual të Bashkisë, është në kundërshtim të plotë me parimet e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Përfytyroni tani se si grushtohen përditë njerëzit pa mbështetje, pa mundësi, pa zë, të cilëve u duhet të përballen me këtë super pushtet pa kontroll. Nëse një sjellje kaq abuzive nuk denoncohet dhe nuk reformohet, a mundet Shqipëria të arrijë ndonjëherë potencialin e saj të vërtetë? A do të pranohet ndonjëherë në Bashkimin Evropian pa garanci të mirëfillta ligjore? A do të vazhdojnë investitorët dhe turistët të vijnë në Shqipëri, në një vend ku mund t’u nënshtrohen standardeve të tilla të paligjshme?

Për gjithë zellotët në disko-lajme, që flasin me një vetëbesim që të bën të mendosh se flenë në krevat me mua në qeli, do mendojnë avokatët e mi në gjykata për shpifje, ku gjer më sot kemi fituar 100% të gjyqeve – nga djali i Ahmadinexhadit e gjer tek damixhanët e gazetarisë se lodhur.

Për sa kohë kam një kamera 24/7 mbi derë e tjetrën mbi dritare, të rrinë të qetë se jam më i observuar këtu seç isha në Tiranë, me gjithë gërmimet mbi çdo aspekt të jetës sime. Janë të pamëshirshëm për vetting-un e të tjerëve, kurrë për të tyrin.

Kurse atyre që nënqeshin se kam derdhur lot për djalin, u them se duhet të shqetësohen më shumë nga burrat që nuk qajnë, se sa nga ata që e kanë ende zemrën në vend e fshikullohet sistematikisht nga malli për fëmijën. Të kesh bërë 50 shkolla për fëmijët e Tiranës dhe të mos shoqërosh dot djalin tënd në klasë të parë është një dhimbje therëse.

Por, nuk jam vetëm! Në burg kam njohur dhjetra raste padrejtësish. Në gjithë vendin mijëra vetë mbahen në paraburgim, pa dënim, përqindja më e lartë në Europë. Janë mijëra familje që vuajnë barrën emocionale dhe ekonomike të papërballueshme vetëm se burri/djali/babai paraburgoset për kohë tejet të gjatë pa dënim; familje që varfërohen çdo përditë nga “taksa e paraburgimit” për të mbajtur me ushqime dhe veshmbathje “burrin e shtëpisë”, që gjer dje siguronte për familjen.

Ndaj, do jem edhe zëri i tyre, i mijëra familjeve që vuajnë padrejtësisht prej kësaj tiranie penale.

Në fund, për kundërshtarët që s’më mundën dot me vota e i gëzohen këtij linçimi e histerie të përkohshme, ju kujtoj se çdo dekadë e kam nisur jetën nga e para: 10 vjeç mbeta vetëm dhe ia rinisa nga emigracioni e tek fiqtë e Pazarit; në të 20-at lashë Amerikën e krijova MJAFT-in, organizatën më të madhe; në të 30-at përfaqësova Gjirokastrën dhe reformuam Ministrinë që prekte punën, pensionet, të përndjekurit dhe të pamundurit; në të 40-at drejtova Tiranën si Kryeqytet Europian i Rinisë, Sportit dhe Kulturës.

Ndaj, se 10, se 20, se 30, se 40, nuk do i ndahem kauzave ku besoj dhe pas së cilave mbahem fort. Dhe kjo e drejtësisë sociale, dhe jo e tiranisë speciale ndaj të dobtëve, do më angazhojë gjithnjë e më shumë. Do të vazhdoj të luftoj për Tiranën, qytetin që e dua kaq shumë, dhe për Shqipërinë, vendin që e dua me gjithë zemër!

Faleminderit që më lexuat!

Ju uroj pushime të mbara!

Përqafoni familjen e fëmijët, se kurrë nuk i dihet kur ju ndajnë dhunshëm prej tyre, siç më ngjau mua!

Ju dua shumë,

EV

JU REKOMANDOJMË

Kurti në përvjetorin e Fazli Greiçevcit dhe Cen Dugollit: Lavdi atyre që u shuan nga dhuna e regjimit serb për lirinë e Kosovës

Kurti në përvjetorin e Fazli Greiçevcit dhe Cen Dugollit: Lavdi atyre që u shuan nga dhuna e regjimit serb për lirinë e Kosovës
17/08/2026 - 20:06

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar Fazli Greiçevcin dhe Cen Dugollin, të vrarë më 17 gusht në burgun e Prishtinës, Greiçevci më 1964 dhe Dugolli...

Më shumëDetails

Kastrati i reagon Vjosa Osmanit: Hapja e Urës së Ibrit nuk është akt historik, është akt normal

Kastrati i reagon Vjosa Osmanit: Hapja e Urës së Ibrit nuk është akt historik, është akt normal
17/08/2026 - 19:58

Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, ka deklaruar se janë plotësuar kushtet e sigurisë për hapjen e Urës së Ibrit dhe se menaxhimi i saj mund t’i besohet Policisë...

Më shumëDetails

Arrestohet 41-vjeçari në Jarinje për falsifikim të dokumenteve, gjatë bastisjes i gjenden 45 fishekë

Arrestohet 41-vjeçari në Jarinje për falsifikim të dokumenteve, gjatë bastisjes i gjenden 45 fishekë
17/08/2026 - 19:37

Policia e Kosovës ka arrestuar sot një person në Jarinje, në kuadër të hetimeve për një rast të mëhershëm të dyshuar për “Falsifikim të dokumenteve”. Sipas njoftimit të...

Më shumëDetails

Daut Haradinaj ngre alarmin: Kosova i shet qymyr Maqedonisë së Veriut, ndërsa prej saj blen rrymë

Daut Haradinaj për votat e diasporës: Shoferët e MPJ’së do t’i transportojnë, çelësin e fletëvotimeve në Zvicër e ka i deleguari i Gërvallës
17/08/2026 - 19:04

Daut Haradinaj, nga Aleanca ka reaguar pas nënshkrimit të kontratës për furnizimin e Maqedonisë së Veriut me qymyr nga Kosova. Haradinaj ka thënë se për këtë çështje kishte...

Më shumëDetails

LDK s’merr pjesë në takimin e thirrur nga Haxhiu, Haziri: Ajo është vetëm deputete

A ka votë, LDK-ja për LVV-në pas zgjedhjeve të balotazhit, Haziri: S’jemi tavolinë suedeze
17/08/2026 - 18:33

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do t’i shkojë në takim Albulena Haxhiut. Kështu konfirmoi për Klankosova.tv nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri. “Ajo është vetëm deputete e VV-së në...

Më shumëDetails

Lidhja e Historianëve të Deçanit e propozojnë Armend Mehën për president

Lidhja e Historianëve të Deçanit e propozojnë Armend Mehën për president
17/08/2026 - 17:50

Lidhja e Historianëve Dega në Deçan e ka propozuar Armend Mehën për president të Kosovës. Me anë të një shkrese dërguar partive opozitare, kjo Lidhje tregon edhe arsyet...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Humb jetën një punëtor i KEK-ut, rasti po trajtohet si vdekje e dyshimtë

    Humb jetën një punëtor i KEK-ut, rasti po trajtohet si vdekje e dyshimtë

    137 Shpërndaje
    Shpërndaje 55 Tweet 34
  • Skandal: Klinika “RINU” e Shkurte Musës vazhdon aktivitetin edhe pas ndalimit të shërbimeve me vendim nga Inspektorati Shëndetësor

    115 Shpërndaje
    Shpërndaje 46 Tweet 29
  • Sherr për një incizim me dron te restoranti “Lumi” në Bistricë – pesë persona përfshihen në rrahje, mes tyre edhe një police

    95 Shpërndaje
    Shpërndaje 38 Tweet 24
  • Raportohet se 63 mijë eurot e padeklaruara në Doganë po i transportonte Barileva Turist, u gjetën në bagazhin personal të shoferit

    93 Shpërndaje
    Shpërndaje 37 Tweet 23
  • Këta janë dy vëllezërit që humbën jetën në aksidentin e rëndë në Podujevë

    90 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 23

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë