BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar kanë rënë dakord të ulin çmimin maksimal të naftës ruse, në një përpjekje për të kufizuar më tej aftësinë e Kremlinit për të zhvilluar luftë kundër Ukrainës.
BE-ja ka rënë dakord të ulë çmimin maksimal për eksportet e naftës nga deti në 47.60 dollarë nga 60 dollarë për fuçi, si pjesë e asaj që shefja e saj e politikës së jashtme, Kaja Kallas, e quajti “një nga paketat më të forta të sanksioneve kundër Rusisë deri më sot”, sipas The Guardian.
Paketa përfshin kufizime mbi tubacionet dhe bankat ruse, si dhe eksportet e teknologjisë në vend.
“Po ushtrojmë më shumë presion mbi industrinë ushtarake të Rusisë, bankat kineze që mundësojnë shmangien e sanksioneve dhe bllokimin e eksporteve të teknologjisë së përdorur në dronë”, tha Kallas.
BE-ja tha se do të sigurojë që kufiri lëvizës të jetë gjithmonë 15% më i ulët se çmimi mesatar i tregut për naftën bruto Urals, përzierja kryesore e eksportit rus. Shtetet anëtare të BE-së blenë rreth 21.9 miliardë euro (18.1 miliardë paund) naftë dhe gaz rus në vitin 2024 .
Kufiri i ri do të zbatohet nga 3 shtatori, që do të thotë se kompanitë – ndërmjetësit e sigurimeve dhe transportuesit brenda BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar nuk mund të veprojnë për të lehtësuar shitjet mbi kufirin.
“Ky hap vendimtar për të ulur kufirin e çmimit të naftës bruto do të synojë të ardhurat e Rusisë nga nafta dhe do të rrisë presionin mbi Putinin duke shfrytëzuar dobësinë e tij më të madhe – ndërkohë që do të mbajë të qëndrueshëm tregjet e energjisë”.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar tha se po “ndërmerr veprime vendimtare për të ndërprerë tubacionin e furnizimit me naftë të Putinit” dhe se deri më tani ka sanksionuar më shumë se 250 anije përgjegjëse për transportimin e furnizimeve ruse me energji.
Kufiri fillestar u prezantua në dhjetor 2022 nga grupi i vendeve G7, por qeveria e Donald Trump nuk është e gatshme ta nënshkruajë.
BE-ja ka futur gjithashtu një ndalim për investimet në tubacionet e gazit Nord Stream 1 dhe 2.
Nord Stream 1 u bë i papërdorshëm në shtator 2022 pas një serie shpërthimesh nënujore për të cilat askush nuk e ka marrë përgjegjësinë.