Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, duke e konsideruar vendimin si një konfirmim të qëndrimeve që i kishte shprehur më herët publikisht.
“Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar qartësisht atë që e kam theksuar në paraqitjet e mia publike, disa herë me radhë: E drejta ekskluzive për të propozuar Kryetarin/en e Kuvendit nuk është e shkëputur nga përgjegjësia politike për të ndërtuar kompromis dhe për të siguruar mbështetjen e nevojshme parlamentare”, deklaroi Gashi.
Ai tha se demokracia parlamentare kërkon më shumë se thjesht shumicë numerike.
“Kjo do të thotë se përgjegjësia institucionale nuk mund të ushtrohet në mënyrë të njëanshme – ajo kërkon bashkëpunim, respektim të procedurave demokratike dhe ndërtim të konsensusit politik. Demokracia parlamentare nuk është thjesht çështje numrash, por çështje pjekurie politike dhe përgjegjësie kushtetuese”, shtoi ai.
Duke përmbyllur qëndrimin e tij, Gashi theksoi: “Nuk ka ekskluzivitet pa përgjegjësi. Nuk ka demokraci pa vullnet për marrëveshje. Kush dështon të ndërtojë konsensus, dështon të udhëheqë”.