Drejtori Ekzekutiv i Rrjeti i OJQ-ve AVONET, Kenan Gashi, ka kritikuar Qeverinë Kurti për shpërndarjen nga 100 euro për fëmijë dhe pensionistë, duke e quajtur veprim pa bazë ligjore.
Gashi thotë se kryeministri në detyrë dhe kabineti i tij qeveritar as që duan t’i njohin dhe t’i respektojnë ligjet e Republikës së Kosovës, raporton Veriu.info.
Postimi i Kenan Gashi:
Qeveri dhe kryeministër në detyrë që shpërndajnë para pa asnjë bazë ligjore
Kryeministri në detyrë dhe ky kabinet qeveritar as që duan t’i njohin dhe t’i respektojnë ligjet e Republikës së Kosovës. Ndarja e nga 100 eurove për fëmijë dhe pensionistë është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe me Ligjin për Qeverinë.
Albin Kurti, i cili ka ardhur në këtë pozitë duke u thirrur vazhdimisht në respektimin e ligjit dhe të Kushtetutës, sot po dëshmohet jo vetëm si mashtrues politik, por edhe si një shkelës serioz i ligjeve. Me këto veprime ai po cenon rëndë rendin juridik të vendit, gjë që përbën një rrezik të madh institucional.
I gjithë ky veprim bëhet vetëm për të mbetur në pushtet dhe, sipas mendimit tim, është i kundërligjshëm dhe përbën një tendencë të qartë për “blerje votash” përmes shpërndarjes së parave publike.
Vendit duhet t’i kontribuohet me përgjegjësi dhe të ruhet rendi juridik, sepse është dhënë betim për respektimin e ligjit. Mosmbajtja e betimit përbën shkelje serioze dhe mund të konsiderohet vepër penale.














