Gazeta e njohur spanjolle “AS” i ka kushtuar një shkrim të gjatë sulmuesit të Mallorcas dhe Kosovës, Vedat Muriqi, duke e vlerësuar lart paraqitjen e tij këtë sezon.
“Muriqi nuk është ‘Pirat’, ai është thesar”, shkruan mediumi spanjoll në titullin e artikullit kushtuar reprezentuesit kosovar.
“Pavarësisht rënies së Mallorcas nga kategoria, 23 golat e Vedatit dëshmojnë për efektivitetin e një sulmuesi të shkëlqyer para portës. Kosovari është ndoshta lojtari i Mallorcas me vlerën më të mirë në treg këtë verë. Vetëm një emër tjetër, ai i portugezit Samu Costa, mund t’i afrohet reputacionit aktual të sulmuesit të Mallorcas”, shkruan “AS”.
Sipas raportimit, Mallorca rrezikon ta humbasë Muriqin gjatë afatit kalimtar veror, pas rënies nga La Liga.
Interesim për sulmuesin kosovar kanë shfaqur tashmë dy klubet e mëdha turke, Galatasaray dhe Fenerbahçe.
“Milionat nga Arabia Saudite e tundojnë gjithashtu Vedatin, Hansi Flick i Barcelonës pëlqen profilin e kosovarit dhe, pasi riorganizoi një skuadër që fitoi La Ligan, ai nuk do të ishte kundër shtimit të një sulmuesi të besueshëm që mund të marrë një rol dytësor në sulm”, vazhdon shkrimi i gazetës spanjolle.
Sipas “AS”, paga e Muriqit vlerësohet të jetë rreth katër milionë euro bruto.
32-vjeçari ka kontratë me Mallorcan deri në qershor të vitit 2029.












