Zëvendëskryeministrja e parë dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka vlerësuar se janë të gatshëm për të diskutuar me partitë tjera për zgjedhjen e presidentit.
Ajo ka bërë se tani është koha që partitë politike të ulen dhe të diskutojnë seriozisht për këtë çështje.
“Edhe të kaluarën jemi përpjekur edhe me LDK-në dhe me të tjerët ta zgjidhim çështjen e presidentit. Kemi pasur zgjedhje tërësisht të panevojshme, për të cilat u dit që në fillim se nuk kanë për të sjellë ndonjë ndryshim të madh në përbërjen e kuvendit të ardhshëm. Për besë, është koha që me u ul e me diskutu seriozisht dhe me hequr dorë nga mentaliteti bllokues. Qytetari e ka thënë fjalën e vet, për herë të tretë e ka thënë fjalën e vet qartë. Fituesi i këtyre zgjedhjeve po shihet. Po presim rezultatet zyrtare, po presim certifikimin e tyre dhe po dua të besoj që ishte hera e fundit që shkojmë në zgjedhje të panevojshme dhe, në fakt, edhe jo racionale dhe jo të kuptueshme për qytetarët”, ka thënë ajo, duke dhënë detaje tjera.
“Se cilët do të jenë hapat që do të ndjekim, atë do të ulemi së pari brenda koalicionit dhe do t’i diskutojmë, e pastaj do të ulemi të diskutojmë edhe me partitë opozitare. Do të jemi përsëri të përkushtuar dhe të angazhuar që të gjejmë mënyra për t’i qartësuar. Zgjidhja apo jo, njeriu kur hyn në negociata hyn me vullnetin për të gjetur zgjidhje, të cilën unë nuk mund ta paragjykoj sot, sepse në bazë të deklarimeve në media po duket sikur po. Të ngjashme i kemi pasur, faktikisht, edhe pas zgjedhjeve të dhjetorit. Fatkeqësisht, ne jemi të interesuar të diskutojmë me partnerët tanë potencialë pa diskutuar paraprakisht me mediat. Rendi e kërkon që me diskutu me njerëzit direkt, në vend që me ju dërgu mesazhe përmes mediave, dhe ne këtë rend do ta respektojmë dhe me seriozitet maksimal do të angazhohemi”, është shprehur ajo, raporton EO.













