Janë bërë me shumë se një javë që kur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka mandatuar Glauk Konjufcën nga Vetëvendosje për krijimin e qeverisë së re.
Para mediave presidentja Osmani kishte arsyetuar vendimin për mandatimin e Konjufcës duke thënë se është bazuar në Kushtetutë.
“Në përputhje me Kushtetutën dhe me të gjitha aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, kam mandatuar z. Glauk Konjufca si kandidat tjetër për kryeministër, ashtu siç qartë e kërkon dhe e përcakton neni 95, pika 4, si edhe vetë praktika e Gjykatës Kushtetuese. Mandatimi i z. Konjufca është gjithashtu në përputhje me përgjegjësinë tjetër që Gjykata Kushtetuese ia ka dhënë presidentes në po të njëjtat aktgjykime, respektivisht, përgjegjësinë që presidentja të ruajë stabilitetin e vendit duke shmangur zgjedhjet. Ky është një detyrim i përcaktuar nga vetë Gjykata Kushtetuese”, kishte thënë Osmani.
E tani kur kanë mbetur edhe pesë ditë kohë për votimin e qeverisë së re, mandatari Konjufca nuk po bëhet i ‘gjallë’, raporton IndeksOnline.
Të paktën zyrtarisht nuk është parë një përpjekje nga ana e tij për takuar partitë opozitarë në përpjekje të sigurimit të votave për votimin e ekzekutivit.
Ende nuk ka një sinjal se kur pritet të thirret seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit në përpjekje për krijimin e qeverisë së re.
Nga ana tjetër, partitë opozitare kanë kundërshtuar mandatimin e Konjufcës për kryeministër.
Sipas opozitës, zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje duke kundërshtuar çdo opsion për tu bërë pjesë e qeverisë me Vetëvendosjen.
Kujtojmë që Konjufca i ka pasur në dispozicion 15 ditë që të paraqesë para Kuvendit të Kosovës, ekzekutivin e ri, që duhet t’i marrë të paktën 61 vota për.
Javë me parë mandatari i parë, Albin Kurti mori 56 vota më 26 tetor, duke u bërë i pari në historinë e Republikës të cilit Kuvendi nuk ia votoi kabinetin. A e pret i njëjti fat edhe Konjufcën, kjo do të kuptohet deri të mërkurën e javës së ardhshme.













