Një mërgimtar nga Zvicra është gjobitur për tejkalim të rrezikshëm të kryer në trotuar në Gjilan.
Policia e Kosovës tha sot se një vozitës i automjetit Audi A6, me targa të Zvicrës, është gjobitur për tejkalim të rrezikshëm.
“Ky veprim është dokumentuar edhe përmes pamjeve (videos) të publikuara nga qytetarët dhe mediat në rrjetet sociale, të cilët kanë xhiruar momentin e tejkalimit”, tha policia.
“Njësiti rajonal i komunikacionit rrugor në Gjilan ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme duke identifikuar vozitësin ndaj të cilit ka shqiptuar gjobë, sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia tha se për këtë akt është njoftuar edhe shteti i Zvicrës.
“Duke u bazuar në marrëveshjen ndërmjet Shtetit të Kosovës dhe Shtetit Zviceran, lidhur me bashkëpunimin për trajtimin e kundërvajtjeve të kryera nga shtetasit e secilit shtet në territorin e tjetrit, gjoba e shqiptuar do t’i përcillet autoriteteve përkatëse zvicerane për trajtim të mëtejmë sipas marrëveshjes”, tha policia.













