Një grabitje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit në fshatin Zajm të Klinës, ku persona të maskuar dhe të armatosur kanë depërtuar me forcë në depon e Marketit “Nora”, duke grabitur mbi 20 mijë euro para të gatshme.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti është raportuar rreth orës 02:00, pasi sigurimi i objektit kishte kërkuar ndërhyrjen urgjente të Policisë, duke njoftuar për persona të dyshimtë në ambientet e marketit.
Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, patrullat policore kanë konstatuar se autorët kishin depërtuar në depo duke çarë murin mbrojtës në pjesën e pasme të objektit.
Sipas dëshmitarëve, të cilët punojnë në sigurimin e marketit, janë parë dy deri në tre persona të veshur me rroba të zeza, ndërsa njëri prej tyre mbante një armë të gjatë. Pas grabitjes, ata janë larguar në drejtim të një fushe të mbjellë me misër.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit policorë, krim-teknikët dhe më vonë edhe Njësia K9, e cila ka nisur gjurmimin e autorëve.
Fillimisht dyshohej se në një kasafortë ndodheshin mbi 10 mijë euro monedha metalike për nevoja të përditshme të marketit, ndërsa gjatë ekzaminimit është zbuluar edhe një kasafortë e dytë e hapur, në të cilën ndodheshin rreth 10 mijë euro të tjera.
Sipas burimeve nga marketi, shuma totale e parave të grabitura arrin mbi 20 mijë euro, ndërsa autorët kanë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale, duke dëmtuar murin e objektit, një frigorifer (komorë) dhe një kamerë sigurie. Në dyshemenë e depos janë gjetur edhe monedha të shpërndara, të cilat dyshohet se kanë mbetur gjatë ikjes së grabitësve.
Rasti është cilësuar si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa Policia po zhvillon hetime intensive për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.













