Sot është raportuar për një grabitje në një nga filialet e operatorit telefonik në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka thënë se dyshohet që tre persona të maskuar kanë sulmuar sigurimin jashtë objektit dhe më pas kanë depërtuar brenda.
Ata dyshohet se e kanë marrë një kasafortë ku kishte para të gatshme, telefona të rinj dhe mbushje telefonike.
“Sipas informatave fillestare, janë ngritur dyshimet se tre persona të maskuar, kanë sulmuar sigurimin fizik jashtë objektit dhe më pas kanë depërtuar brenda, prej nga dyshohet se kanë marrë një kasafortë që dyshohet të përmbante para të gatshme, telefona të rinj dhe mbushje telefonike. Të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur. Nuk raportohet për persona të lënduar. Policia ka dalë në vendngjarje ndërsa me rekomandimin e prokurorit kujdestar rasti është iniciuar si “Grabitje”.”
Policia i bën ftesë qytetarëve që kanë informacione për rastin, të bashkëpunojnë me ta.
“Aktualisht policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe operacionale për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve. Ftojmë qytetarët që posedojnë informacione relevante për rastin të bashkëpunojnë me policinë përmes linjës falas 192 apo përmes aplikacionit digjital Lajmëro Policinë.”