Një grabitje e rëndë që dyshohet se kap vlerën e qindra mijëra eurove ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Ferizaj.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se cak i grabitësve ka qenë Qendra e Kontrollit Teknik “Fitorja” në rrugën “Driton Islami”, ku tre persona të maskuar kanë arritur të marrin një kasafortë dhe të largohen pa lënë gjurmë.
Sipas informatave, rreth orës 03:00 Policia ka pranuar njoftim për një vjedhje në progres dhe njësitë patrulluese kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Sigurimi i objektit, A. B, ka deklaruar se kishte vërejtur një veturë BMW ngjyrë hiri, pa targa, në të cilën ndodheshin tre persona të maskuar.
Sinjali mëson se sapo është afruar, grabitësit i kanë bërtitur me tone kërcënuese që të largohej menjëherë, ndërsa më pas kanë hyrë brenda objektit.
Autorët fillimisht kanë depërtuar në zyrat e qendrës dhe më pas kanë arritur deri te kasaforta, të cilën e kanë nxjerrë nga objekti, e kanë ngarkuar në veturë dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të rrethit me Shqiponjë.
Sipas pronarit të biznesit, J. M, brenda kasafortës dyshohet se ndodheshin rreth 330 mijë euro para të gatshme, dokumentacion i firmës si dhe një pistoletë me leje, e prodhimit turk.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit policorë dhe njësia rajonale e forenzikës, të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme për identifikimin e autorëve.
Me urdhër të Prokurorit, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet janë bartur te Njësia Rajonale e Hetimeve.
Policia po punon për identifikimin e grabitësve dhe gjetjen e kasafortës së zhdukur.














