Përparim Gruda nga PDK-ja, ka deklaruar se posti i presidentit duhet t’i takojë Lëvizjes Vetëvendosje në çdo skenar të formimit të qeverisë, nëse kryeministër zgjidhet kandidati i PDK-së, Bedri Hamza.
Në Debat Plus, Gruda ka thënë se në rast se Hamza arrin të formojë qeverinë si kryeministër, atëherë presidenca, sipas tij, duhet t’i mbetet partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje.
Gruda ka shtuar se PDK nuk është e fokusuar vetëm te posti i presidentit, duke theksuar se me këtë funksion nuk mund të realizohet programi qeverisës i partisë.
“Nëse Bedri Hamza arrin me fomu qeverinë nuk ka asnjë diskutim, presidenti i takon Vetëvendosjes si parti fituese…Në çfarëdo koalicioni qysh do që e bëjmë qeverinë… në çdo lloj rasti kur Hamza është kryeministër i Kosovës presidenti i takon VV-së si partia më e madhe”, ka deklaruar Gruda në Debat Plus.
Ai ka thënë gjithashtu se çdo marrëveshje e mundshme duhet të vlerësohet në bazë të ofertës dhe përmbajtjes së saj politike.













