Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka reaguar me emocione pas vendimit të klubit për ta nderuar me një tribunë që do të mbajë emrin e tij dhe me një statujë pranë stadiumit “Etihad”.
Tekniku spanjoll e cilësoi këtë si vlerësimin më të madh që mund të marrë gjatë karrierës së tij, duke theksuar se një nderim i tillë ka një domethënie të veçantë për të.
“Çfarë mund të them? Ky është vlerësimi më i madh, më shumë se çdo gjë tjetër”, deklaroi Guardiola.
Ai shtoi me humor se ndihet krenar që emri i tij do të mbetet pjesë e historisë së klubit edhe për brezat e ardhshëm.
“Në të ardhmen, brezat e rinj do të pyesin: ‘Kush është ky njeri? Kush është ky emër?’ Dhe do t’u thuhet: ‘Ah, ai ishte një djalë, një djalë tullac, që fitoi disa trofe’”, tha Guardiola duke buzëqeshur.
Që nga marrja e drejtimit të Manchester Cityt në vitin 2016, Guardiola ka ndërtuar një nga periudhat më të suksesshme në historinë e klubit, duke fituar tituj të shumtë në Angli dhe Evropë. Nën drejtimin e tij, City është shndërruar në një prej skuadrave më dominuese të futbollit botëror.
Vendimi për t’i kushtuar një tribunë dhe një statujë konsiderohet si një mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm të trajnerit spanjoll, i cili tashmë ka siguruar një vend të përhershëm në historinë e Manchester Cityt.













