Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, i ka komentuar zhvillimet e fundit në Gjykatën Speciale, ku u zbulua se Zyra e Prokurorit të Specializuar e mori rojën e burgut, John Devaney dhe e bëri prokuror.Gucati tha se kjo nuk i ka befasuar pasi sipas tij, një gjë e tillë ka ndodhur edhe në të kaluarën, sa ishte ai në burg.
“Kjo nuk na ka befasuar, pasi nuk është hera e parë. Ka ndodhur edhe në të kaluarën. Një zyrtar i lartë i Qendrës së Paraburgimit, nëse nuk ka gaboj ka qenë me shtetësi amerikane, ai ka qenë zyrtar që ka punuar në Qendrën e Paraburgimit për të drejtat e të burgosurve dhe rendin shtëpiak, ashtu e quajnë ata”.“Pas një kohe ai ka kaluar në Prokurorinë e Gjykatës Speciale dhe ka qenë prokuror, pra ky është rasti i dytë. Ka marrë gjithmonë në seanca si prokuror, por nuk është përfshirë në asnjë rast. Atë e njeh edhe presidenti edhe të tjerët, të gjithë e njohim nëse e shohim, ka qenë i gjatë, me flokë të bardha”, tha Gucati në “Info Magazine” në Klan Kosova.
Tutje, ai u shpreh se me këtë lëvizje të ZPS-së janë shkelur të drejtat e njeriut, teksa sipas tij, Specialja do ta përdorë çdo metodë që mundet për t’i përcjellë të burgosurit në Hagë.“UCK-ja ka bërë një luftë të drejtë, krimi dihet ku është, krimi është në Beograd e jo në Kosovë. Kriminelët janë në Beograd, kështu që ne s’kemi bërë krime. Besoj në drejtësi që presidenti dhe të tjerët do të lirohen shumë shpejt”.
“Por, me këto avaze të kësaj prokurorie, është turpi i Evropës. Unë e kam humbur besimin në drejtësinë e Evropës”, tha Gucati, njofton Klankosova.tv.
Gucati e komentoi edhe intervistën e ish-presidentit Hashim Thaçi të dhënë ekskluzivisht për Rubikon, ku tha se ishte intervistë e një lideri botëror.
“Ka qenë intervistë shumë emocionuese, ka qenë intervistë bashkuese dhe jo përçarëse. Ka qenë një intervistë nga e cila bëri apel që ta ruajmë unitetin dhe të mos merremi me fyerje ndaj njëri-tjetrit. Ai e ka treguar veten që është lider botëror, intervista e faktoi Hashim Thaçin taman lider botëror”, tha ai.