Kryetari i degës së PDK-së në Drenas, i cili kandidoi për kryetar të kësaj komune në zgjedhjet e 12 tetorit, Petrit Hajdari, ka reaguar ndaj Ramiz Lladrovcit ku ka sqaruar se lokali ku ky i fundit është parë gjatë së mërkurës nuk është zyrë e PDK-së, por pronë private e një familjarit të tij, shkruan Reporteri.net.
Ai ka theksuar se PDK e ka pranuar rezultatin zgjedhor dhe se aktualisht ndodhet në opozitë në Drenas, ndërsa ka akuzuar Lladrovcin për manipulim dhe për sjellje arrogante gjatë paraqitjes publike, duke e cilësuar si vazhdim të një fushate viktimizuese dhe të orientuar drejt spektaklit.
Në fund, Hajdari ka theksuar se PDK ka qenë e sinqertë me qytetarët dhe se Lladrovci nuk përfaqëson këtë parti, duke theksuar se zgjedhjet ishin vetëm për kryetar komune dhe jo për degën e PDK-së.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Nuk është “kthyer” z. Lladrovci në zyrat e PDK-së sepse zyrat e PDK-së nuk janë aty. Ai lokal është pronë private e familjarit të vet. Atë ambient ai mund ta përdor për subjektin e vet politik e nëse do mund ta inkorporojë edhe Vetëvendosjen që i ndihmoi në zgjedhje, por ato zyre veç të PDK-së nuk janë.
Kemi qenë në proces zgjedhor, të cilin nuk e kemi fituar dhe gjithmonë e respektojmë verdiktin e qytetarit. PDK sot në Drenas është në opozitë. Kaq e thjeshtë është. Tjerat janë manipulim i pastër.
Sjellja e tij prej arroganti mbrëmë në emisionin Pressing tregon që ai imazh prej viktime që e kultivoi gjatë fushatës me ndihmë të pashpjegueshme mediale, ishte veç farsa e një identiteti tjetër, atij të grabitçarit manipulant që është në gjendje të bëjë gjithçka për pak spektakël e pak pushtet.
Jo më vonë se të nesërmen e ditës së zgjedhjeve, si kundërkandidat e kam uruar për fitoren. Shko në zyrën e kryetarit dhe fillo punën për të cilën je votuar. Këto skena s’i kanë hije askujt, aq më pak demokracisë e edhe më pak Drenasit.
Qytetarët e panë dje që kanë votuar për dikë të cilit kur i bëhen pyetje që s’i pëlqejnë, në stilin e Albin Kurtit i kthehet gazetarëve me linçim. “I pitë”, “i paguar” e terma që s’i bëjnë nder askujt.
Kontributi im për Drenasin është dhe do të jetë në çdo rrethanë. Nuk kam kurrfarë hatërmbetjeje me qytetarin tim sepse për dallim prej z. Lladrovci, unë këtë vend e dua pa kushte, e jo veç nga pushteti.
Nuk matet kontributi me “a ka pru libra”. Ku po e din a kam sjellë libra, kur s’e lexon asnjë?
I zënë me “milunat”, nuk po di as të fitojë me dinjitet.
Me çdo kusht përplasje, me çdo kusht viktimizim.
PDK ka qenë e sinqertë prej fillimit me qytetarin. Ai nuk është PDK. Këtë nuk e ndërron rezultati zgjedhor. Ne kemi garuar për kryetar komune, jo për degën e PDK-së.
Ajo që njerëzit si ai pa vetëdije politike nuk e kuptojnë, është që në demokraci, kur votohet për kryetar komune, nuk votohet edhe për mbret, edhe për mbretëreshë, edhe për kryetar dege, anëtar dege, e çka jo tjetër. Zgjedhjet kanë qenë veç për kryetar komune. Ta kemi uruar të gjithë.
Nisja punës e mos bëj skena, z. viktimë!
/Reporteri.net/