Një vjedhje e rëndë është raportuar në Vushtrri, ku persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur një sasi të madhe skelash dhe materialesh ndërtimore nga një kompani që po kryente punime fasadimi.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se vjedhja ka ndodhur në rrugën “Skënderbeu”, në intervalin kohor nga 7 korriku, ora 17:00, deri më 9 korrik, ora 09:00.
Siç mësohet, rastin në Polici e ka denoncuar A.O. rreth 45 vjeç, menaxher i kompanisë “Duli” SHPK, e cila ishte duke kryer punime në fasadimin e ndërtesave në atë zonë.
Sipas denoncimit, hajnat kanë arritur të marrin:
- 60 skela shkelëse,
- 70 rama skelash,
- 100 pjesë lidhëse të skelave, si dhe
- 30 pako stiropor.
Të gjitha skelat, sipas ankuesit, kanë qenë të palosura në momentin e vjedhjes.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se dëmi material i shkaktuar nga kjo vjedhje vlerësohet të jetë nga 17 mijë deri në 20 mijë euro.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e hetimeve të Stacionit Policor në Vushtrri dhe Hetimet Rajonale, të cilat kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe kanë nisur veprimet për identifikimin e autorëve.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar është iniciuar rasti për veprën penale “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet janë në vazhdim.












