Avokati Gazmend Halilaj, thotë se Faton Hajrizi në vitin 2007 ka kryer një grabitje të armatosur, i veshur me uniformë të policisë.“Të gjithë personat zyrtar që kanë intervenuar i ka sulmuar me armë. Fillimisht ka qenë një huti sepse ai grabitjen dhe tentim-vrasjen e ka bërë në uniformë të policisë, pikërisht origjinale, sepse motrën e ka pasur zyrtare policore”, tha ai.
Halilaj theksoi se gjatë aktit që ai thotë se ka ndodhur, Hajrizi e ka plagosur babain e pronarit të argjendarisë që kishte cak për grabitje, përcjell Klankosova.tv. “Ka qenë data 10 shtator 2007, Faton Hajrizi me disa persona tjerë, me veturë të tipit Golf 2, me armë të gjata të tipit mitraloz, ka ardhur e ka grabitur argjendarin në punën e tij. Derisa babai i argjendarit i ka dalë në mbrojtje djalit të tij, atëherë e ka goditur me plumb në këmbë”, u shpreh ai në “Kosova Today”.
Avokati i familjes së Faton Hajrizit, Gent Gjini, ka dorëzuar padi dhe kallëzime penale ndaj kryeministrit Albin Kurti, zëvendësit të tij, Besnik Bislimi dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Gjini tha se padinë e ka bërë pasi sipas tij, kanë vazhduar fyerjet ndaj Faton Hajrizit. Ai tha se fjala “kriminel” ishte arsyeja kryesore se pse familja po e bënë këtë padi. I pranishëm ishte edhe vëllai i Fatonit, Artani.