Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka bërë me dije se Kosova ia ka pa sherrin fitores së VV-së në tri palë zgjedhjet e fundit.
Ai ka treguar në detaje për këto sherre të VV-së.
Në profilin e saj në “Facebook”, Hamiti ka shkruar se më 28 dhjetor qytetarët duhet ta nxjerrin në opozitë.
“Në tri palë zgjedhje nacionale, më 2019, më 2021 dhe më 2025, Vetëvendosja e Albin Kurtit doli e para. Kosova ia pa sherrin keq VV-së për arsyet që shpalosen këtu. Herën e parë me një dallim të vogël me LDK-në në vota, Qeveria VV-LDK mbijetoi vetëm 51 ditë, sepse LDK-ja nuk mundi të qeveriste me Albin Kurtin kryeministër që mori kurs konfrontimi me SHBA-të, aleatin jetik të shtetit tonë. Herën e dytë, më 2021, Koalicioni i VV-së me Guxon-n e Vjosa Osmanit dhe Alternativën e Mimoza Kusarit, me moton #KREJTdheDREJT, siguruan pushtet absolut. E morën Kuvendin, Presidencën, Qeverinë. Për katër vjet, me politika të mbrapshta, i sollën Kosovës sanksione të ashpra të BE-së (tash e dy vjet e gjysmë), marrëveshje të dëmshme me Serbinë për vetëmenaxhim të serbëve në Kosovë, më saktë autonomi politik-territoriale për serbët, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Korrupsioni qeveritar e përlau vendin. Ekonomia stagnoi, qytetarët u varfëruan. Shumë prej tyre e braktisën atdheun”, ka shkruar ai, duke treguar për dëmet që ia ka shkaktuar Kosovës fitorja e tretë e VV-së.
“Herën e tretë, më 9 shkurt 2025, Vetëvendosja e Albin Kurtit me satelitët doli e para, me 42% të votave, por nuk ia doli të marrë pushtet absolut. Në pamundësi që ta bëjë këtë, e bllokuan shtetin tonë gjatë gjithë vitit 2025. E shkelën Kushtetutën me dhjetëra herë. Shkeljet vazhdojnë. Në pjesën më të madhe të vitit, Albin Kurti me të vetët, si deputetë, i uzurpuan dhe vazhdojnë t’i uzurpojnë zyrat qeveritare, në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën tonë”, ka shkruar ai.
Sipas tij, në zgjedhjet 28 dhjetorit qytetarët duhet ta nxjerrin në opozitë VV-në.
“Në zgjedhjet e 28 dhjetorit të sivjemë, qytetarët e kanë rastin t’i nxjerrin VV-në dhe satelitët e saj në opozitë për të mirën e vet dhe të shtetit tonë, që e kanë dëmtuar tepër shumë në pesë vitet e kaluara. Qytetarët duhet të votojnë për partitë shqiptare që e kanë bërë dhe e duan shtetin, jo për VV-në që s’e ka dashur as e do shtetin e Kosovës. Për kujtesë, VV-ja e Albin Kurtit nuk e ka festuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Më herët, më 26 janar 2006, VV-ja e ka quajtur Presidentin Ibrahim Rugova ‘kolaboracionist’, ndërsa Hashim Thaçin ‘thradhtar’. Kushdo që është ndjerë ndonjëherë rugovist nuk ka pse ta votojë VV-në që e ka quajtur Ibrahim Rugovën ‘kolaboracionist’. As ata që janë rreshtuar për pushtet me demagogun Albin Kurti. Rugovistët do ta votojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), partinë e Presidentit Ibrahim Rugova, Atit Themeltar të shtetit tonë”, ka shkruar ai.














