Hamza ka thënë se kjo çështje është prioritet për PDK-në, ndërsa ka bërë të ditur se deri më tani bisedimet për Presidentin nuk kanë prodhuar një marrëveshje.
“Ligji është top prioritet për të gjitha. Ne kemi bisedu për Presidentin dhe kemi pa që nuk ka rrugë për marrëveshje dhe kemi treguar që vazhdojmë me opozitë”, ka deklaruar Hamza në T7.
Sipas tij, ndryshimi i ligjit duhet të votohet para zgjedhjes së Presidentit, duke insistuar që procedurat për këtë çështje të përfundojnë sa më shpejt.
“Ligji duhet më i pari zgjedhjes së Presidentit, një ditë pa u zgjedh Presidenti duhet me u kry. Unë mendoj që duhet nesër. Nuk ka biseda për Presidentin pa e votuar ligjin”, ka thënë ai.
Kreu i PDK-së ka bërë të qartë se vetëm pasi ligji të kalojë në dy lexime, partia e tij është e gatshme të ulet në tryezë për të diskutuar për një emër të përbashkët për President.
“Po e them qartë, e para është ligji. Kalon ligji në dy lexime, atëherë ulum dhe bisedojmë për Presidentin, ku i garantoj që ka me i pas 22 vota të PDK-së, ai proces për atë emër që dakordohemi”, ka deklaruar Hamza.
Me këtë qëndrim, Hamza ka kushtëzuar bisedimet e mëtejshme për Presidentin me miratimin paraprak të ndryshimeve ligjore që lidhen me Gjykatën Speciale.













