Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza tha se kanë “më shumë se një emër” për President.
I pyetur në një konferencë për media për emrat, Hamza tha se do të varej se për çfarë profili të shefit të shtetit do të dakordohej me kryeministrin Albin Kurti.
“Kemi më shumë se një emër. Tash varet a do të dakordoheshim për një President politik, a një President/e që ka qenë pjesë e politikës por nuk është, apo për një President/e që ka mund të jetë pjesë udhëheqëse e institucioneve të larta shtetërore dhe ka një ‘background’ dhe një përgatitje që mund ta ushtrojë me plot sukses postin e Presidentit”, tha ai.
Hamzës iu përmend emri i Glauk Konjufcës dhe u pyet nëse ai është i pranueshëm për PDK-në.
“Nuk mund të pranoj ose të refuzojë emra, kur nuk është propozuar në tavolinë”, tha ai.
Paraprakisht, Hamza theksoi se qëndrimi konsistent i PDK-së është që fillimisht të miratohet përfundimisht projektligji i propozuar që parasheh ndryshime në ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.













