Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka mbajtur sot një takim me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjarët e dëshmorëve dhe invalidët e luftës.
Duke iu drejtuar veteranëve, Kryetari Hamza tha se ata janë Kosova, mburoja e këtij shteti dhe arsyeja pse sot jemi të lirë.
“Pa sakrificën tuaj nuk do të kishte Republikë të Kosovës”, tha Hamza.
Takimi u mbajt në një ditë me simbolikë të veçantë, përvjetorin e rënies heroike të komandantit Mujë Krasniqi dhe 40 bashkëluftëtarëve të tij, si dhe në ditën e themelimit te Ushtrisë së Kosovës.
“Themelimi i Ushtrisë së Kosovës, ushtrisë që nisi nga ju e me ju, ishte mënyra më e mirë për ta ruajtur dhe nderuar kujtimin e dëshmorëve të UÇK-së”, shtoi Kryetari Hamza.
Në pjesën qendrore të fjalimit, kryetari i PDK-së foli për proceset gjyqësore në Hagë, duke i cilësuar ato si të padrejta dhe politike.
Ai u shpreh prerë se asnjë luftëtar i lirisë nuk do të jetë kurrë vetëm, dhe as ata në Hagë nuk janë vetëm, duke shtuar se PDK beson në kthimin e tyre si fitimtarë e krenarë në mesin tonë.
Por çuditërisht Hamza gjatë takimit nuk foli për numrin e fryer të veteranëve, duke kalkuluar kështu për vota e tyre.















