Një konkurs tejet interesant është hapur enkas për nxënësit nga klasat e 6-ta e deri në 9-ta të shkollave të mesme të ulëta të Kosovës.
Thirrja është hapur nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Enegjisë, me temën “Ide të ndritshme për një të ardhme të gjelbër”.
Kjo një iniciativë synon të frymëzojë nxënësit e rinj në mbarë Kosovën për të menduar në mënyrë kreative dhe të qëndrueshme për të ardhmen e energjisë.
“Qëllimi i tij është të nxisë kreativitetin, mendimin kritik dhe ndërgjegjësimin për rëndësinë e efiçiencës së energjisë (EE) dhe përdorimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë (BRE)”, thuhet në njoftim transmeton Klankosova.tv.
Konkursi përfshin tri kategori:
Ese: “Një e nesërme më e gjelbër – Vizioni im për Efiçiencën e Energjisë dhe Energjinë e Ripërtëritshme”
Vepër artistike: “Energjia për të ardhmen – Një Shprehje Krijuese”
Instalacion kreativ: “Shpikja ime e qëndrueshme”
Afati për dorëzimin e punimeve është 20 nëntor 2025, ndërsa fituesit do të shpallen në një ngjarje të veçantë. Fituesit e tre vendeve të para në secilën kategori do të shpërblehen me nga një pajisje tablet.
Punimet do të vlerësohen nga një juri profesionale, e përbërë nga përfaqësues të FKEE-së, artistë, gazetarë dhe ekspertë të fushës së energjisë dhe mjedisit.
FKEE thekson se ky konkurs është pjesë e misionit institucional për të promovuar kulturën e kursimit të energjisë dhe përdorimin e burimeve të qëndrueshme në të gjitha nivelet e shoqërisë.
Për më shumë informata mbi konkursin, kriteret e pjesëmarrjes dhe mënyrën e aplikimit, ju ftojmë të vizitoni faqen zyrtare të FKEE-së: www.fkee-rks.net.