Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër pasi kryetarët serb të komunave në veri kanë larguar flamurin e Kosovës dhe fotografinë e presidentes nga zyrat e tyre.
Ai tha se “as Lista Serbe dhe as Milan Radoiçiqi nuk guxojnë të pengojnë zbatimin e ligjit në veri”, duke e cilësuar veprimin e kryetarëve si një gabim të rëndë dhe shkelje ligjore.
Haradinaj u bëri thirrje kryetarëve që t’i rikthejnë simbolet shtetërore dhe të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.Ai i ftoi KFOR-in, EULEX-in dhe vendet e QUINT-it të reagojnë, duke thënë se ashtu siç i mbrojnë kryetarët kur KQZ merr vendime për ta, duhet të mbrojnë edhe flamurin dhe simbolet shtetërore të Kosovës në komunat veriore.
“As Lista Serbe dhe as Milan Radoiçiqi nuk guxojnë ta pengojnë zbatimin e ligjit në veri. Këta që i kanë larguar simbolet e Kosovës nga zyrat e tyre, kanë bërë gabim. Unë u bëj thirrje kryetarëve të komunave në veri: mos u lazdroni, ktheni flamurin e Kosovës dhe foton e presidentes, respektoni Kushtetutën dhe ligjet. Nuk bën të lejohet askush që ta largojë flamurin tonë nga zyrat. Ky është krim ligjor që kanë bërë ndaj Kosovës. Apeloj te komandanti i KFOR-it, EULEX-i dhe QUINT-i që t’ua tregojnë vendin; ashtu siç po i mbrojnë kur KQZ po merr vendime për ta, ta mbrojnë edhe flamurin e Kosovës në këto komuna”, tha Haradinaj në Politiko.












