Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim ambasadorin gjerman, Jorn Rohde. Siç njofton vetë i pari i AAK-së, të dy ata kanë diskutuar për zhvillimet në vend, ku theks i veçantë, ka qenë për situatën e krijuar pas zgjedhjeve parlamentare.
Haradinaj, ka thënë se ai ka ‘’rikonfirmuar’’ përkushtimin e tij dhe të partisë, për të gjetur zgjidhje si rrugëdalje nga bllokada.
I njëjti, është shprehur mirënjohës ndaj Rohdes për angazhimin e këtij të fundit.
‘‘Sot pata kënaqësinë të mirëpres në zyrat e Aleancës ambasadorin gjerman në Kosovë, z. Jörn Rohde. Gjatë takimit diskutuam për zhvillimet aktuale në vend, me theks të veçantë situatën e krijuar pas zgjedhjeve parlamentare. Rikonfirmova përkushtimin tim dhe të Aleancës për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje për tejkalimin e bllokadës tashmë disa mujore, me qëllim të konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja.
I jam mirënjohës ambasadorit Rohde për angazhimin e tij të vazhdueshëm dhe për përkushtimin e palëkundur të Gjermanisë ndaj Kosovës dhe rrugëtimit të saj euroatlantik’’, ka shkruar Haradinaj.