Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar situatën e krijuar nga vërshimet në disa zona të vendit si “tejet shqetësuese” dhe një “urgjencë kombëtare”.
Përmes një reagimi në profilin e tij në Facebook, Haradinaj ka bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me kryetarët e komunave që udhëhiqen nga partia e tij, për t’u njoftuar me masat që po ndërmerren në terren.
“Situata e krijuar pas reshjeve të vazhdueshme, që kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të Kosovës, është tejet shqetësuese. Në disa vendbanime ka filluar edhe evakuimi i banorëve,” ka shkruar ai.
Haradinaj ka kërkuar koordinim më të madh mes nivelit qendror dhe atij lokal për të menaxhuar krizën e shkaktuar nga moti i lig.
“Është urgjencë kombëtare që institucionet relevante, si në nivel qendror ashtu edhe lokal, të shumëfishojnë përpjekjet dhe veprimet për përballimin e kësaj gjendjeje të rëndë,” shkroi kreu i AAK-së.











