Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e quajti të dhimbshme faktin që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i sulmoi sot gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese gjatë një mbledhjeje të partisë së tij.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj deklaroi se Kurti po përpiqet të “mashtrojë” opinionin publik duke fajësuar gjyqtarët e Kushtetueses.
“E dhimbshme kur kryeministri i deritashëm dhe ai që pretendon të jetë prapë kryeministër, nuk e njeh institucionin më të lartë të drejtësisë në vendin e vet dhe e sulmon aq egër e aq ulët. Ai nuk flet për shkeljet e njëpasnjëshme të Kushtetutës që i ka bërë ai e partia e tij, por zgjedh të mashtrojë sikur fajin e paskan gjyqtarët e Kushtetueses”, shkroi Haradinaj.
Ai shtoi se kjo situatë i kujton një shprehje popullore: “Hajni bërtet kapeni hajnin”, duke theksuar se gjyqtarët e Kushtetueses janë zgjedhur nga Kuvendi legjitim i Kosovës, dhe jo nga “formacione imagjinare”.
“E vërteta për bllokimin, jo vetëm të Parlamentit por edhe të Shtetit, e ka vetëm një emër e ky është Albin Kurti dhe kjo sot është e qartë për secilin, veç në mendjen e Albin Kurtit është e mjegullt!”, u shpreh kreu i AAK-së.
Në fund, Haradinaj i bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese që, përveç konstatimeve, të caktojë edhe pasojat ligjore për shkelësit e Kushtetutës.
“Prandaj institucioni më i lartë i drejtësisë në vend, e ka kohën e fundit që në interpretimet e tij për shkelje të Kushtetutës, të mos mjaftohet vetëm me konstatimin e tyre, por t’i saktësojë edhe pasojat ligjore juridike, për secilin individ apo grup që i bën ato! Vetëm drejtësia e plotë është drejtësi!”, përfundoi Haradinaj.