Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shkuar sot në Ambasadën e ShBA-së në Kosovë, për të zhvilluar takim me zyrtarin e lartë të Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Brendan Hanrahan, dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit në detyrë, Mark Fleming.
Haradinaj tregoi se në takimin me Hanrahan-in, ka theksuar rëndësinë strategjike të forcimit të marrëdhënieve bilaterale të Republikës së Kosovës me SHBA-në, si dhe nevojën për të thelluar partneritetin në fushën e sigurisë.
Në Facebook, kreu i AAK-së tutje thotë se Kosova mbetet e përkushtuar për anëtarësim të plotë në NATO, dhe mbështetja e SHBA-së është tepër e rëndësishme për këtë rrugë.
“Aleanca jonë më Amerikën është e përjetshme dhe e pathyeshme, ndërsa përkushtimi ynë si vend është i palëkundur për ta forcuar këtë aleancë çdo ditë”, përfundon Haradinaj.