
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka kundërshtuar leximet që po i bëhen vendimit të fundit të Kushtetueses për seancën konstituive të Kuvendit, duke deklaruar se nuk bëhet fjalë për “veto absolute” të deputetëve të komunitetit serb.
Sipas Hasanit, ideja se serbët në Kuvend marrin një të drejtë bllokuese është shpikje politike dhe nuk mbështetet në aktgjykim. Ai sqaroi se seanca e parë nuk është mbyllur për shkak të pamundësisë për të zgjedhur nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, por kjo, thotë ai, nuk krijon një mekanizëm të posaçëm vetoje.
“E drejta e vetos ka qenë një marrëzi që është krijuar këtu, në retorikën e pushtetit të deridjeshëm”, ka thënë Hasani në Debat Plus.
“E drejta e vetos mund të thuhet që ekziston, është te amendamentet kushtetuese. E dyta, është te ligjet e veçanta për të drejtat e veçanta e komuniteteve. Edhe aty është ndërruar kushtetuta, shumica absolute.. dhe nuk ka tjetër, kjo është e qartë si loti. Ju e dini se ushtria e Kosovës është formuar me ligje. Dhe sot është formuar pa një amendament kushtetues… dhe jeni në proces të formimit. Sepse është rregull juridik, se nuk mund të përfitosh nga gjendja jokushtetuese dhe joligjore që ti e krijon vetë. As serbët lokale as shqiptarët nuk mund ta krijojnë gjendjen jokushteteuese, dhe pastaj të thonë unë kam drejta absolute, këtë që po thuhet veto. Çështja ka shkuar në Kushtetuese, për të njëjtat arsye që është zvarritur konstituimi i Kuvendit deri te zgjedhja e Dimal Bashës. Qysh e kanë gjetur zgjidhjen për Dimal Bashën edhe këtu duhet ta gjejnë, duhet ta votojnë. E sikur serbët lokal, që e pa prerogativën si e ka edhe partia shumicë e propozimit dhe nuk e bën fare, ajo është temë tjetër”, ka shtuar Hasani.