Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Hasani: Kurti s’ka dobi nga rizgjedhja e Osmanit presidente, ndërkombëtarët i kërkojnë vetëm autonominë serbe që e pranoi

08/01/2026 - 15:41
në Kryesore, Lajme
A A
Hasani: Kurti s’ka dobi nga rizgjedhja e Osmanit presidente, ndërkombëtarët i kërkojnë vetëm autonominë serbe që e pranoi
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Enver Hasani thotë se në politikë “çdo gjë është e mundur”, por nuk sheh dobi dhe siguri për pushtetin e Albin Kurtit nga mundësia që Vjosa Osmani të qëndrojë në karrigen e presidentes së vendit edhe për një mandat pesëvjeçar.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese tha në një intervistë për Express se nuk beson se Kurti “rrezikon zgjedhje të reja” për shkak të Osmanit.

Ai thotë se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje tashmë “ka arritur kufijtë e votës së lirë” dhe se sado që të rritet numri i votave për të në të ardhmen, “asnjëherë nuk mund t’i ofrojë atij dhe askujt komoditetin e vendosjes vetëm për formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit të Republikës”.

Për rezultatin e LVV-së në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, Hasani thotë se vendimtarë ishin “shpenzimi i shumave enorme të parasë publike për të fituar zgjedhjet” dhe “mungesa e një rezistence aktive politike” nga ana e opozitës. Kështu, sipas tij, votimi u bë jo i lirë dhe jo i drejtë.

Brukseli dhe Washingtoni kanë vetëm një shqetësim për qeverisjen e Kurtit, thotë Hasani, dhe ai ka të bëjë sipas tij me “zbatimin e Aneksit të Ohrit, përkatësisht me vënien në jetë të autonomisë serbe, e cila është pranuar nga zoti Kurti në Ohër më 2023. Asgjë tjetër!”. Thotë se forcimi i “atuonomisë serbe” shihet si “e vetmja zgjidhje për mbrojtjen e komunitetit sreb kosovar nga pushteti qendror” dhe se veprimet e qeverisë së Kurtit e kanë përforcuar urgjencën e implementimit të Aneksit të Ohrit për ndërkombëtarët.

Gjykata Kushtetuese po shqyrton nëse Lista Serbe, si partia që ka fituar sërish shumicën e votave të serbëve, duhet të përfaqësohet në Kuvend me një nënkryetar, apo nëse në këtë pozitë mund të zgjidhet edhe Nenad Rashiq. Për Hasanin, është e qartë se sipas Kushtetutës, nënkryetari duhet të jetë “nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vendet e garantuara të komunitetit serb”.

“Zoti Rashiq përfaqëson komunitetin serb, por nuk është shumica e deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës. Ai mund të jetë një njeri i mirë e patriot kosovar, i urtë dhe kështu me radhë, por ato cilësi vlejnë kur dikush kërkon dikënd për ta bërë dhëndër, jo përfaqësues të një komuniteti kosovar. Përfaqësimi caktohet me votë dhe bazuar në Kushtetutë e ligj”.

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare komentoi edhe arrestimin e Nicolas Maduros, presidentit të rrëzuar të Venezuelës. Tani, ai sheh “një rikthim kah e djathta dhe konservativizmi në krejt Amerikën Latine, për t’u shkëputur nga traditat e ekstremit të majtë, të importuara nga ish Bashkimi Sovjetik”.

Keni thënë se presidentja Vjosa Osmani e kishte shkelur Kushtetuen me mandatimin e Glauk Konjufcës për formimin e qeverisë së re. Tani që askush nuk është ankuar në Gjykatën Kushtetuese për këtë çështje, shkelja që ju thoni se u bë, do të konsiderohet “e parëndësishme”, meqenëse këtë s’do ta saktësojë Gjykata?

Hasani: Çdo shkelje kushtetuese, kur nuk përfundon në Gjykatën Kushtetuese, “e merr era”, si thotë populli. Ka pasur edhe shumë raste të tjera gjatë mandateve të qeveritarëve të sotëm, por nuk kanë përfunduar në Gjykatën Kushtetuese, për shkak se vendimi për të dërguar një çështje në Gjykatë merret nga politika, dhe aty llogaritë janë të tjera. Në rastet kur nuk ka ndërhyrje nga Gjykata Kushtetuese, përkundër shkeljes së dukshme kushtetuese, vlen parimi i prezumimit të kushtetutshmërisë së veprimit ose mosveprimit të subjekteve kushtetuese.

Si e patë rezultatin që e prodhuan zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit? Keni folur për “përllogaritje politike” të presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti. A është ky rezultati i asaj “përllogaritjeje”?

Hasani: Dy faktorë kanë qenë vendimtarë në këtë rezultat. I pari ka të bëjë me shpenzimin e shumave enorme të parasë publike për të fituar zgjedhjet. Nëse dikur flitej për mbushjen e kutive të votimit me qëllim të fitimit dhe mbajtjes së pushtetit, këtu kemi të bëjmë me mbushjen e xhepave me para, me qëllim që të mbusheshin kutitë e votimit me një lloj votuesi të caktuar – votues në favor të pushtetit aktual. Mendoj se kjo ka pasur efekt tepër të madh, nëse llogaritet shuma e parasë publike që është shpërndarë për votë. Këtu nuk po llogaritet paraja që jepet “nën dorë”, siç thotë populli, por vetëm ajo që vetë pushteti e ka deklaruar publikisht dhe që është mbi 400 milion euro.

Faktori i dytë ka të bëjë me mungesën nga ana e opozitës të një rezistence aktive politike për të penguar shpërndarjen e parasë publike në këtë mënyrë dhe, në përgjithësi, dorëzimin e opozitës para së keqes, e cila dukej hapur çdo ditë para votimit. Këta dy faktorë e bëjnë votimin e datës 28 dhjetor 2025 jo të lirë dhe jo të drejtë.

Si mendoni se do të qeverisë Albin Kurti, kur dihen raportet e tij me Brukselin dhe Washingtonin? A e ndihmon fitorja bindëse në zgjedhje në këtë pikë?

Hasani: Brukseli dhe Washingtoni nuk kanë pasur ndonjë shqetësim për qeverisjen e Albin Kurtit. Shqetësimi i tyre i vetëm ka të bëjë me zbatimin e Aneksit të Ohrit, përkatësisht me vënien në jetë të autonomisë serbe, e cila është pranuar nga zoti Kurti në Ohër më 2023. Asgjë tjetër! Miqve tanë ndërkombëtarë u duhet një adresë me legjitimitet të ri politik, dhe ajo adresë është në dorën e zotit Kurti.

Mosreagimi i ndërkombëtarëve për rregullësinë e zgjedhjeve lidhet pikërisht me këtë: urgjenca e tyre për formimin e autonomisë serbe, të cilën ata e shohin si të vetmen zgjidhje për mbrojtjen e komunitetit serb kosovar nga pushteti qendror. Veprimet represive të pushtetit të Kosovës gjatë viteve të kaluara kanë përforcuar urgjencën për implementimin e Aneksit të Ohrit.

SHBA-ja ka kërkuar zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë. A mendoni se presioni në këtë çështje do të bëhet më praktik?

Hasani: Po. Patjetër. Kjo për faktin se çdo gjë është e qartë dhe nuk lidhet me zgjedhjet në Serbi, meqë kërkohet zbatimi i detyrimeve të marra në Ohër. Zbatimi i tyre në sytë e votuesit në Serbi nuk përbën një problem serioz, sepse ka të bëjë me pjesën e marrëdhënieve ndërkombëtare (mospengimi i antarësimit të Kosovës në struktura ndërkombëtare), jo me marrëdhënie kushtetuese të brendshme, siç është rasti me Kosovën.

Vjosa Osmani foli për qëndrime të bashkerenduara me Albin Kurtin, ndërsa shprehu ambicien e saj për të qëndruar edhe më tej në karrigen e presidentes. A e shihni të mundshme këtë?

Hasani: Zonja Osmani ka pasur një vlerë të shtuar politike më 2021. Në zgjedhjet e fundit, nëse abstraktojmë ndërhyrjen me financa për deformimin e vullnetit politik të qytetarit, vlera e saj e shtuar është zhdukur. Kjo është politikë dhe çdo gjë është e mundur, por nuk shoh ndonjë dobi ose siguri për pushtetin e zotit Kurti me Vjosën në të njëjtën pozitë.

Mandati i saj përfundon më 7 prill. Kur është afati i fundit kur duhet të zgjidhet presidenti, sipas Kushtetutës?

Hasani: Sipas nenit 86.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, zgjedhja e Presidentit të Republikës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual. Kjo do të thotë se zgjedhja e tij/saj duhet të ndodhë më së largu ditën e fundit para se të përfundojnë tridhjetë ditët nga përfundimi i mandatit. Kur i bie kjo, le ta llogarisin ata që kanë interes për një gjë të tillë..

Nëse kjo nuk ndodh, pra nëse Kuvendi nuk zgjedh Presidentin e Republikës më së largu një ditë para se të fillojnë tridhjetë (30) ditët e fundit të mandatit të zonjës Vjosa Osmani, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje automatikisht. Ato mbahen, sipas nenit 86.5 të Kushtetutës, brenda dyzet e pesë (45) ditësh. Kjo nënkupton se nuk mund të ketë votim për Presidentin e Republikës pasi të futemi në tridhjetë (30) ditët kushtetuese kur duhet të jetë i zgjedhur Presidenti.

Kjo gjithashtu nënkupton se, ditën që zonjës Vjosa Osmani i përfundon mandati, atë pozitë e merr Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës, kurse zonja Osmani shpall dekretimin e zgjedhjeve të reja.

Në nenin 82.1 (3) të Kushtetutës ekziston edhe një afat tjetër kushtetues prej gjashtëdhjetë (60) ditësh kur shkohet automatikisht në zgjedhje, por ai vlen për situatat që nuk kanë të bëjnë me përfundimin e mandatit të Presidentit të Republikës, siç ka qenë rasti Pacolli. Ky afat është absolut, pra çdoherë kur vendi i Presidentit të Republikës mbetet vakant, ekzistojnë gjashtëdhjetë (60) ditë për ta zgjedhur, ndryshe shpërndahet Kuvendi dhe shkohet në zgjedhje.

Kjo situatë, teorikisht dhe praktikisht, mund të krijohet pas zgjedhjeve të reja për Kuvendin e Kosovës, i cili më pas duhet të zgjedhë Presidentin e ri të Republikës, meqë vendi mbetet në duart e Ushtruesit të Detyrës së Presidentit të Republikës.

Kurti ka folur së fundmi për vështirësitë që mund t’u dalin në një tentim për rizgjedhjen e mundshme të Osmanit. A besoni se ai mund të shohë për ndonjë emër konsensual nëse vëren se Osmani nuk po pranohet?

Hasani: Siç e thashë, kjo është çështje pur politikë dhe çdo gjë është e mundur. Nuk besoj se zoti Kurti rrezikon zgjedhje të reja, meqë ka arritur kufijtë e votës së lirë dhe, sado i madh që të jetë ai numër në të ardhmen, asnjëherë nuk mund t’i ofrojë atij dhe askujt komoditetin e vendosjes vetëm për formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Edhe fitorja e tij e fundit, me të gjitha manipulimet financiare, është arritur në koalicion me të tjerët.

Gjykata Kushtetuese është duke e shqyrtuar zgjedhjen e Nenad Rashiqit nënkryetar të Kuvendit në tetor të vitit të kaluar. Ju keni thënë se Kuvendi nuk ishte ligjërisht i konstituuar, por u shpall i tillë “në mënyrë arbitrare”. Çfarë prisni se do të vendosë Kushtetuesja për këtë çështje?

Hasani: Unë kam thënë dhe ashtu është sipas Kushtetutës së Kosovës. Neni 67.4 i Kushtetutës e bën të qartë se nënkryetari serb duhet të jetë nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vendet e garantuara të komunitetit serb. Pra bëhet fjalë për ata që përfaqësojnë serbët dhe janë shumicë brenda deputetëve serbë të Kuvendit të Kosovës.

Zoti Rashiq përfaqëson komunitetin serb, por nuk është shumica e deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës. Ai mund të jetë një njeri i mirë e patriot kosovar, i urtë dhe kështu me radhë, por ato cilësi vlejnë kur dikush kërkon dikend për ta bërë dhëndër, jo përfaqësues të një komuniteti kosovar. Përfaqësimi caktohet me votë dhe bazuar në Kushtetutë e ligj.

Pikërisht për shkak të eliminimit të përfaqësuesit serb nga pozita e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës ka ndodhur ndërprerja e dialogut strategjik me SHBA. Këtë duhet ta dijë çdokush.

Ndërkohë vëmendja globale tani është te arrestimi i Nicolas Maduros, udhëheqësit të rrëzuar të Venezuelës. Çfarë i bën rendit ndërkombëtar ky operacion amerikan dhe si mendoni se do të veprojë SHBA-ja më tej në Venezuelë?

Hasani: Ajo që ndodhi në Venezuelë me ish presidentin Maduro është hiç më pak se zbatim i strategjisë kombëtare amerikane në sferën e politikës së jashtme, të skicuar në planin kombëtar, ku hemisfera perëndimore merr një peshë të madhe specifike për shkak të tendencave në rritje të Kinës dhe Rusisë për të futur hundët në atë pjesë të botës.

Që nga viti 1983, kur ka nisur Doktrina Monroe, e plotësuar me doktrinën e Ruzveltit në fillim të shekullit 20, që i jep SHBA-së të drejtë për të penguar çdo kolonializëm dhe ndërhyrje e ndikim nga jashtë, amerikanët me kujdes të shtuar kanë vëzhguar regjimet politike atje. Edhe në kohën e Luftës së Ftohtë, kur ka pasur rrezik real për konfrontim mes SHBA-së dhe ish Bashkimit Sovjetik, amerikanët nuk kanë hezituar për të mbrojtur interesat e tyre në atë pjesë të botës. Tani që as Kina e as Rusia nuk kanë ndonjë fuqi për të frustruar projektin amerikan atje, një politikë e tillë amerikane është edhe më efektive, dhe kjo shihet qartë nga reagimet regjionale.

Ka një rikthim kah e djathta dhe konservativizmi në krejt Amerikën Latine, për t’u shkëputur nga traditat e ekstremit të majtë, të importuara nga ish Bashkimi Sovjetik. Kjo ngelet e fundit e këtij lloji, dhe ai regjim atje i ka ditët e numëruara.

JU REKOMANDOJMË

Këta janë 120 deputetët e zgjedhur të Kuvendit
Kryesore

Këta janë 120 deputetët e zgjedhur të Kuvendit

09/01/2026 - 10:35
Mitrovica drejt normalizimit pas reshjeve të shiut
Kryesore

Mitrovica drejt normalizimit pas reshjeve të shiut

09/01/2026 - 10:25
Kryetari Faton Peci falënderon institucionet dhe qytetarët për përballimin e situatës me vërshimet
Lajme

Kryetari Faton Peci falënderon institucionet dhe qytetarët për përballimin e situatës me vërshimet

09/01/2026 - 10:01
Rusia godet Ukrainën me raketën balistike Oreshnik, një nga armët e saj më të fuqishme
Lajme

Rusia godet Ukrainën me raketën balistike Oreshnik, një nga armët e saj më të fuqishme

09/01/2026 - 09:38
Përmbyllet numërimi i votave të diasporës, KQZ gati për rezultatin final të zgjedhjeve
Kryesore

Përmbyllet numërimi i votave të diasporës, KQZ gati për rezultatin final të zgjedhjeve

09/01/2026 - 09:32
Bllokada te nënkryetari serb, Kryeziu: Opozitë e paguximshme, e kurthuar nga VV-ja
Lajme

Kryeziu: Diaspora nuk e krijoi fitoren e VV-së, vetëm e thelloi atë

08/01/2026 - 22:59

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Skandali i laboratorik turk “Elab Kosova”: Analiza pa licencë për mbi 1200 pacientë – biokimike, mikrobiologjike, Hepatit e HIV

    Skandali i laboratorik turk “Elab Kosova”: Analiza pa licencë për mbi 1200 pacientë – biokimike, mikrobiologjike, Hepatit e HIV

    138 Shpërndaje
    Shpërndaje 55 Tweet 35
  • LAJMI I FUNDIT: Jep dorëheqje kryetari i kësaj dege në PDK

    124 Shpërndaje
    Shpërndaje 50 Tweet 31
  • Ekskluzive: Këta pritet të jenë drejtorët e Sami Lushtakut në Skenderaj, zyrtarizimi nuk po bëhet për shkak pakënaqësive brenda degës

    114 Shpërndaje
    Shpërndaje 46 Tweet 29
  • Dështuan të bëhen deputet/ Këta kandidat nga VV pritet t’ia shohin hajrin formimit të qeverisë Kurti 3

    110 Shpërndaje
    Shpërndaje 44 Tweet 28
  • Pranoi qe mori një milion eurot nga BKS-ja: Do t’i kthej me keste…| Detaje nga deklarata e Valon Berishes se BKS-së

    110 Shpërndaje
    Shpërndaje 44 Tweet 28

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë