Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se, bazuar në të dhënat që ka në dispozicion, pjesa dërrmuese e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ mbështetës të integruar në sistemin e drejtësisë së Kosovës kanë përfituar dhe vazhdojnë të përfitojnë mjete financiare nga Serbia në forma të ndryshme që nga viti 2017.
Sipas saj, këta zyrtarë kanë marrë pagesa nga Serbia edhe gjatë periudhës kur kanë ushtruar funksionet e tyre si gjyqtarë dhe prokurorë në Kosovë.
“Pra edhe gjatë kohës sa ata kanë qenë prokurorë e gjyqtarë janë paguar nga Serbia. Lojaliteti i treguar për Serbinë është shpërblyer edhe me mjete financiare në kohën kur është pritur që të njëjtit të ushtrojnë mandatin e tyre në dobi të qytetarëve”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka shtuar se ekzistojnë edhe raste, disa prej tyre të bëra publike, ku ish-gjyqtarë dhe prokurorë kanë marrë pjesë në takime të organizuara në Serbi dhe në Kosovë, ku sipas saj janë diskutuar plane dhe janë marrë vendime për bllokimin e rrugëve.














