Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, për kryetare të Kuvendit, e cila s’po arrin t’i sigurojë votat për këtë pozitë, Albulena Haxhiu, ka folur pas dështimit të seancës, duke thënë se për të ‘‘është i paqartë pozicioni i tyre që fare nuk marrin pjesë në votim për komisionin në mënyrë që të vazhdojmë votimin e fshehtë’’.
Ajo ka vlerësuar se ky votim është demokratik.
Haxhiu e ka komentuar edhe refuzimin e LDK-së për koalicion me VV-në duke thënë se ‘‘është e papranueshme që të injorohet vullneti i qytetarëve të Kosovës’’.
‘‘Pra për mua është i paqartë pozicioni i tyre që fare nuk marrin pjesë në votim për komisionin në mënyrë që të vazhdojmë votimin e fshehtë. Është votim shumë demokratik, për shumë pozicione përfshirë këtu edhe presidentin. Sa i përket qëndrimit të LDK-së, mendoj që është e papranueshme që të injorohet vullneti i qytetarëve të Kosovës, ne zgjedhje kemi pasur para 3 muajve, ka tendencë të hapur që të injorohet ky vullnet i popullit. LVV-ja është subjekti më i madh në vend, Kurti është kandidati më më së shumti mbështetje nga qytetarët e Kosovës. Kushdo që tenton me injoru këtë vullnet e ka gabim’’, ka thënë ajo. /GazetaExpress