Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentes Osmani që kishte shpërndarë legjislaturën e fundit, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Haxhiu ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e vulosi të vërtetën që Kuvendi kishte detyrim ta zgjedhë presidentin deri më 5 mars 2026.
“Por dështimi i qëllimshëm i LVV-së për ta bërë këtë, me synimin që vendit t’i imponojë një president militant partiak, e çoi vendin në një situatë të re.” – shkruan Haxhiu.
Ai ka thënë se në procesin e ardhshëm zgjedhor do të jenë bashkë me çlirimtarët tanë që sakrifikuan për lirinë dhe shtetin tonë.
Postimi i plotë:
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e vulosi të vërtetën, Kuvendi kishte detyrim ta zgjedhë Presidentin deri më 5 mars 2026.
Por dështimi i qëllimshëm i LVV-së për ta bërë këtë, me synimin që vendit t’i imponojë një president militant partiak, e çoi vendin në një situatë të re.
Tashmë është dhënë edhe një afat shtesë prej 34 ditësh. Nëse edhe ky afat dështon, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, me shumë gjasë në dy javët e para të qershorit.
Sipas të gjitha gjasave, në procesin e ardhshëm zgjedhor do të jemi bashkë me çlirimtarët tanë, me ata që sakrifikuan për lirinë dhe shtetin tonë.
Zgjedhje e ardhshme nuk do të jenë të zakonshme. Do të jenë një përballje mes mashtrimit dhe së vërtetës, mes atyre që e kanë mbajtur peng shtetin dhe atyre që e kanë ndërtuar shtetin e pavarur të Kosovës.
Drejtësia mund të vonojë, por nuk harron.













