Duke folur pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu tha se këtë çështje ia kanë ngritur edhe deputetit të PDK-së, Arian Tahiri, duke theksuar se një iniciativë e tillë duhet të trajtohet me kujdes.
“Sa i përket projektligjit, e pyetëm zoti Tahirin [Arian Tahirin], se më kënd janë konsultuar. Çfarëdo iniciative ligjore, ekipet mbrojtëse nuk janë konsultuar dhe mendoj që është gabim”, tha Haxhiu.
Ajo bëri të ditur se projektligji, pasi e ka pranuar, është proceduar në Qeveri dhe se ka komunikuar me kryeministrin Albin Kurti për trajtimin e tij me prioritet.
“Kam qenë në komunikim me kryeministrin Kurti, u zotova edhe në mbledhje, që projektligji të trajtohet me prioritet, sidomos që tani i kemi ditët e numëruara”, deklaroi ajo.
Haxhiu foli edhe për mundësinë e shkuarjes së vendit në zgjedhje të parakohshme, nëse deri më 6 tetor nuk zgjidhet presidenti.
Ajo tha se institucionet duhet të japin kontribut që të shmanget një skenar i tillë, duke e lidhur këtë edhe me procesin në Hagë dhe protestat e qytetarëve.
“Është e rëndësishme, që secili prej nesh të japë kontribut që të mos shkojë vendi në zgjedhje, sidomos kur flasim për procesin në Hagë, nuk i ndihmojmë as Kosovës, as qytetarëve që po protestojnë në mënyrë paqësore, por as atyre që janë në Hagë, nuk iu ndihmojmë, që me vetëdije të plotë, pa kokëçarje, të çojmë vendin në zgjedhje”, tha Haxhiu.













