Organizatori i protestave të përnatshme në shesh nën parullën “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri e quajti të papranueshme sjelljen e Policisë dje, ndërsa shprehu keqardhje për të gjitha incidentet.
Haziri kërkoi edhe sot miratimin përfundimtar të ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë.
“Unë sot u bashkova bashkë me veteranët, pasi ishte një thirrje e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për protestë dhe tani u bashkuam. Ndërsa ‘Jo në emrin tim’ kemi thirrur protestë gjithëpopullore për orën 12:00. Kjo nuk i përjashton protestat njëra-tjetrën. Jemi të gjithë bashkë këtu në sheshin ‘Skënderbeu’, tash e 21 ditë”, tha ai.
Haziri tha se ndjen keqardhje për çdo incident, por shtoi se Policia e ka nisur eskalimin.
“Jemi munduar në vazhdimësi që protesta të jetë e qetë, deri kur Policia ka gjuajtur gaz lotsjellës, e njërit nga shokët tanë ia kanë thyer edhe këmbën”, tha ai.
Ai tha se nuk e kupton se si Policia u ndikua që të reagonte ashtu ndaj protestuesve.
“Zëri ynë nuk është dhuna e huliganizmi”, tha ai.
Haziri tha se kryeministri Albin Kurti “po tenton të na i marrë edhe sheshet”.













