Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar rreth paralajmërimit për diskutimin e dy projektligjeve që janë në rend dite për seancën e së enjtes.
Sipas Hotit, këto dy projektligje, atë që cakton marzhat tregtare dhe atë për kontratat për investimet publike, do t’i japin goditje të rëndë ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së lirë në Kosovë.
Sa i përket projektligjit që cakton marzhat tregtare për produktet themelore ushqimore si drithëra, miell, bukë, oriz, pasta, vaj ushqimor, kripë, vezë, sheqer etj., sipas Hotit do të ndikonte në kufizim të konkurrencës.
“Po ashtu, cakton çmimin maksimal, si dhe i detyron tregtarët të mbajnë rezerva në depo dhe masa tjera që mund t’i teken Qeverisë. Një qasje e tillë e kufizimit të konkurrencës mund të vlejë vetëm kur shpallet gjendja e jashtëzakonshme”, tha Hoti.
Derisa për projektligjin e dytë sipas tij, do të krijohej kaos në kontratat publike.
“Në projektligj nuk ka qartësi si definohet inflacioni në çmimet e materialeve në kontrata. Nuk dihet sa duhet të jetë inflacioni në mënyrë që të kompensohet operatori. Lista e materialeve, për të cilat operatorët do të kompensohen, është arbitrare”, tha ai.













