Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar pas njoftimit se Serbia do të nisë raundin e parë të dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Hoti ka deklaruar se Kosova, pavarësisht raporteve të saj tradicionale me SHBA-në, aktualisht e ka të pezulluar këtë proces, ndërsa sipas tij Serbia po avancon në bashkëpunimin strategjik me Uashingtonin.
Në reagimin e tij, deputeti i LDK-së ka ngritur shqetësime edhe për çështjet energjetike, duke pretenduar se Kosova po mbetet jashtë disa nismave rajonale që lidhen me furnizimin me gaz amerikan dhe diversifikimin e burimeve energjetike.
Sipas Hotit, një qasje e tillë mund të ndikojë në pozitën ekonomike dhe politike të Kosovës, duke rrezikuar forcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në.
“Kosova mbetet e izoluar ekonomikisht dhe politikisht, duke humbur mundësinë për forcimin e partneritetit strategjik dhe të sigurisë energjetike”, ka shkruar Hoti.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur marrëdhëniet dhe bashkëpunimi me SHBA-në vazhdojnë të jenë një nga temat kryesore të debatit politik në Kosovë.













