Një rast i rëndë dhune brenda familjes është raportuar në Mitrovicën e Jugut, ku një burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht djalin e tij derisa ishte nën ndikim të alkoolit.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 në rrugën “Adem Voca”, ku Policia ka pranuar informacion për një incident të dhunshëm në familje.
Njësia policore ka intervenuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar personin e dyshuar.
Pas shoqërimit në Stacionin Policor, të dyshuarit i është bërë testi i alkoolit, ku ka rezultuar me 1.53 promil alkool në gjak.
Sipas deklarimit të viktimës, ai ishte sulmuar fizikisht nga babai i tij, i cili dyshohet se e kishte goditur me shkelma.
Sinjali mëson se viktima ka kërkuar masë mbrojtëse, por nuk ka pranuar trajtim mjekësor.
Në cilësinë e dëshmitarit është intervistuar edhe një person tjetër që kishte parë të gjithë ngjarjen.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Sulm”, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.














