Komuna e Prishtinës, e cila udhëhiqet nga kryetari Përparim Rama, ka dështuar këtë vit që të shpenzojë buxhetin për investimet kapitale, të cilat vetë menaxhmeti komunal i ka planifikuar.
Investimet e tilla janë të dizajnuara në atë formë që të ndihmojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Mirëpo edhe pse pritjet e qytetarëve ishin të mëdha, investimet nëpër lagje të ndryshme të kryeqytetit kanë munguar, raporton gazeta10.
Rreth 35 milionë të ndara për investime kapitale pritet të teprojnë këtë vit.
Kjo duket se e ka ‘zgjuar nga gjumi’ kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën.
Ai në javën e fundit të dhjetorit ka ‘ndezur bagerat’ në shumë lagje të kryeqytetit.
Punimet për rregullimin e trotuarëve dhe platove në këtë fundvit kanë nisur edhe në lagjen Bregu i Diellit të Banesat e Bardha.
Në disa fotografi të realizuara nga Gazeta10 shihen punimet e vrullshme që kanë nisur në këtë lagje të kryeqytetit.