Kreu i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, në FRONTAL të T7 ka thënë se kryetari i Qeverisë, Albin Kurti, ka shkuar në Vushtrri për nisjen e punimeve të stadiumit dhe nuk e ka ftuar fare si kryetar komune.
“Ky është rast i vecant kur një zyrtar shtetëror vjen në komunë dhe nuk e njofton kryetarin sepse protokolli dhe mënyra institucionale duhej të vepronte ndryshe”, ka thënë Idrizi.
Ai ka deklaruar se gjithmonë i ka respektuar krerët e shtetit.
“Unë i kam qëndruar besnik parimeve të mia. I kam respektuar edhe kryeministrin, edhe presidenten, edhe presidenten në detyrë, edhe ministrat. I kam pritur edhe me tapetin e kuq siç e do rendi”, ka shtuar tutje ai.
“Ka qenë iniciativë e imja personale, ne e kemi hartuar projektin. Pastaj kemi nënshkruar marrëveshje bashkëfinancimi me MKRS-në. Ne kemi marrë participim 1 milion, nga 5 milionë sa është krejt projekti. Sot dëgjova që Kurti ka qenë me anëtarë e simpatizantë të LVV-së. Mua s’më mbetet hatri, por kjo s’iu bën nder qytetarëve të Vushtrrisë, sepse jam zgjedhur me votat e tyre”, është shprehur Idrizi.












