Veriu.info kishte raportuar me 31 janar për uzurpim me material ndërtimor të një parkingu publik (komunal) të automjeteve nga kompania “Aurora Group”, për të cilin qytetarët kishin dërguar ankesa në redaksi.
Para se të publikonim lajmin, paraprakisht kishim dërguar pyetje në Komunën e Mitrovicës, për të marrë përgjigje se a ka leje kjo kompani për përdorim si ‘depo’ materiali ndërtimore të këtij parkingu publik (komunal), por që deri më sot nuk kemi pranuar përgjigje.
Megjithatë, gjendja në terren ka ndryshuar, pasi që ky parking tashmë është liruar dhe është i përdorshëm nga qytetarët, ashtu siç edhe e ka destinimin.
Në foto shihet ky parking në rrugën “Nexhip Dragaj”, i cili është pastruar komplet.

Veriu.info ka siguruar pagesën e gjobës nga kompania “Aurora Group” në vlerë prej 400 euro të bërë në xhirollogari të komunës më 4 shkurt, pasi që mësohet se drejtoria e Inspeksionit në krye me drejtorin Mujë Igrishta i ka shqiptuar gjobë prej 800 euro për bllokim të këtij parkingu me material ndërtimore, përderisa siç e parasheh edhe legjislacioni në fuqi, nëse gjoba paguhet në kohë, atëherë vlen vetëm gjysma e saj.

Ndryshe, prej ardhjes në krye të Drejtorisë së Inspeksionit të Drejtorit, Mujë Igrishta, shumë hapësira publike janë liruar në Mitrovicë, por që ka nevojë edhe për veprime tjera të vazhdueshme./Veriu.info













