Një incident ka ndodhur mbrëmjen e sontme në veri të vendit, më saktësisht në fshatin Banjë ku policia e Kosovës ka sinjalizuar për ndalim një veturë e cila nuk ka respektuar urdhrin policor, dhe zyrtari policor u detyrua të përdor armën e zjarrit për të mbrojtur jetën e tij dhe të kolegëve, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Veriu.info ka mësuar nga burimet e saj se vetura e tipit audi përmes rrugëve ilegale ka kaluar kufirin dhe ka hyrë në Serbi.
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndaluar dy vetura tjera në atë lokacion dhe që dyshohet se ndërlidhen me rastin.
Veriu.info mëson se pas ikjes së kësaj veture dhe gjuajtjes me armë nga policia, ne vendngjarje afër pikës kufitare Bernjak ka shku një automjet me disa serbë nga një lokacion afër Liqenit te Ujmanit (pjesa e Kosovës), me ç’rast policia i ka ndaluar me dyshimin se mund të kenë lidhje me serbët e ikur me automjet për në Serbi.
Burime të Veriu.info bëjnë të ditur se pak minuta pas ngjarjes, në pikën kufitare për të hyrë në Kosovë nga Serbia ka hyrë biznesmeni Mentor Beqiri, i cili në veturë ishte i shoqëruar me një serb, të cilët policia i ka ndaluar për intervistim.
Mësohet se biznesmeni Mentor Beqiri ka thënë se serbin me të cilin po shoqërohej nuk e njeh dhe e kishte marrë rastësisht në rrugë. Kjo ka ngjallur dyshime nga policia se shoqëruesi serb mund të jetë i përfshirë direkt ose indirekt me serbët që kanë ikur me automjet për në Serbi, me ç’rast të gjithë personat e ndaluar janë dërguar për intervistim në stacion policor.
Veriu.info mëson se Mentor Beqiri ka deklaruar se është duke ardhur në Kosovë nga Novi Pazari.
Ndryshe, Mentor Beqiri merret me biznesin e ndërtimeve, ku ka ndërtuar objekte banesore prej shumë vitesh në pjesën veriore të Kosovës, e poashtu njihet si biznesmen me precedent penal në disa raste.
Njoftimi i plotë policor:
Informacion lidhur me angazhimet e Policisë së Kosovë në rajonin e Mitrovicës veri
Prishtinë, 9 mars 2023
Më datë 9 mars 2023, rreth orës 19:20, përderisa njësia policore e Policisë së Kosovës ndodhej në pikë kontrolli në fshatin Banje në një rrugë ilegale, duke realizuar detyrat dhe autorizimet e saj ligjore në garantimin e sigurisë, aty ka ardhur/qarkulluar një automjet xhip i tipit audi.
Zyrtarët policor në pikë kontrolli sipas procedurave kanë sinjalizuar automjetin me bateri që të ndaloj për kontroll rutinor, por personi i dyshuar (drejtuesi i automjetit) posa ka vërejtur zyrtarët policor të cilët e kanë sinjalizuar për ndalim, ka rritur shpejtësinë për të ikur nga ndalimi duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e zyrtarëve policor, përderisa njëri nga zyrtarët policor me qëllim të shmangies së rrezikut të drejtpërdrejt për jetën e tij dhe zyrtarëve tjerë policor është detyruar që të përdor armën e zjarrit.
Automjeti i dyshuar me shpejtësi është larguar nga vendi i ngjarjes përmes rrugëve ilegale, përderisa njësitet policore janë duke ndërmarr veprime operative dhe hetimore për identifikimin dhe arrestimin e personit/ve të dyshuar të përfshirë në këtë rast.
Si vazhdimësi e hetimit gjatë realizimit të detyrave policore, njësitë relevante policore kanë ndaluar dy automjete tjera të cilat kanë ardhë në atë lokacion, e që dyshohet se mund të ndërlidhen me veturën e dyshuar, në te cilat vetura gjendeshin pesë persona, të cilët janë dërguar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në parandalimin e veprave kriminale, ndërmarrjen e masave rigoroze ndaj secilit individ apo grup kriminal që cenon rendin, sigurinë apo rrezikon jetën e zyrtarëve policor që po punojnë natë e ditë për të garantuar sigurinë e qytetarëve tanë në tërë territorin e Republikës së Kosovës.