Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se mbrëmë ka zhvilluar PK-ja një operacion policor.
Të dyshuarit janë tre qytetarë dhe një zyrtar policor, i cili ishte jashtë detyrës zyrtare, e të cilët dyshoheshin se posedonin në mënyrë të pautorizuar narkotikë.
Katër të dyshuarit janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Postimi i plotë:
Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) janë njoftuar mbrëmë nga Policia e Kosovës për një rast të posedimit të paautorizuar të narkotikëve ku dyshohej se ishin përfshirë tre qytetarë dhe një zyrtar policor (jashtë detyrës zyrtare).
Me të pranuar informacionin hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë qenë prezent edhe njësi të tjera policore dhe prokurori.
Rasti raportohet të ketë ndodhur mbrëmë para mesnatës kur njësitë policore nga Stacioni Jugu në Prishtinë gjatë patrullimit në rrugën “Bejtush Gërbeshi” kanë ndaluar një veturë në të cilën ndodheshin katër të dyshuarit.
Gjatë kontrollit të veturës janë gjetur 2 qese të vogla të mbushura me pluhur ngjyrë të bardhë që dyshohet të jetë substancë narkotike e llojit kokainë (me peshë 1.1 gram) dhe një qese e vogël që dyshohet të jetë substancë narkotike e llojit marihuanë (me peshë 1 gram).
Gjatë kontrollit trupor te një nga pasagjerët është gjetur dhe konfiskuar një armë e kalibrit 7.65 mm dhe një karikator pa fishekë.
Në këtë rast janë arrestuar katër të dyshuarit përfshirë edhe zyrtarin policor dhe të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” (dhe armëmbajtje pa leje ndaj të dyshuarit nga i cili është konfiskuar arma e zjarrit) .
Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.
Hetuesit e IPK-së dhe të PK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.