Një aksident me fatalitet ka ndodhur mbrëmë në magjistralen Vushtrri – Prishtinë, në segmentin rrugor në fshatin Pestovë, ku për pasojë ka humbur jetën 27 vjeçari Driton Jashari.
Veriu.info raportoi ekskluzivisht se aksidenti ndodhi kur i riu ishte ndaluar nga një patrullë policore në këtë zonë dhe derisa ishte duke pritur kthimin e dokumenteve nga policia, është goditur nga një veturë që po qarkullonte.
Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar raportimin e Veriu.info se ky institucion ka filluar hetimet lidhur me rastin dike potencuar se ekipet kujdestare të hetuesve kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe prokurori kujdestar.
Përgjigja e IPK-së konfirmon raportin e gazetës se ky institucion kishte filluar menjëherë hetimet lidhur me rastin.
“Veprimet tjera hetimore do të ndërmerren në koordinim me Prokurorin e Shtetit si dhe do të vlerësohen edhe rrethanat e sigurisë me rastin e ndalesës në trafik nga njësia policore.” – thuhet në përgjigjen e IPK-së për Veriu.info.
Qytetarët vazhdimisht kanë ankesa për ndalesa në vende të pasigurta nga policia në rrugë me shpejtësi të lartë.















