Irani ka pezulluar bisedimet me Shtetet e Bashkuara në shenjë proteste ndaj veprimeve të Izraelit në Liban, ka raportuar të hënën agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Tasnim News Agency.
Sipas agjencisë, Irani kërkon ndalimin e menjëhershëm të luftërave të Izraelit në Rripin e Gazës dhe Liban, si dhe tërheqjen e plotë të ushtrisë izraelite nga Libani.
“Duke pasur parasysh vazhdimin e sulmeve të regjimit izraelit në Liban dhe duke marrë në konsideratë faktin se Libani ishte një nga parakushtet për armëpushimin, i cili tani është shkelur në të gjitha frontet, përfshirë edhe Libanin, ekipi negociues iranian po pezullon ‘bisedimet dhe shkëmbimin e teksteve përmes ndërmjetësve”, ka raportuar Tasnim.
Tasnim ka shtuar se “derisa të plotësohen kërkesat e Iranit dhe të rezistencës lidhur me këto çështje, nuk do të ketë negociata”.
Agjencia ka raportuar gjithashtu se Teherani zyrtar dhe grupet militante aleate të tij në rajon kanë futur në agjendën e tyre “mbylljen e plotë të Ngushticës së Hormuzit dhe aktivizimin e fronteve të tjera”.
Kjo përfshin edhe Bab el-Mandebt, ngushticën në skajin jugor të Detit të Kuq, ku rebelët Houthis, të mbështetur nga Irani, kanë kryer më parë sulme ndaj anijeve që kalonin nëpër atë zonë.
Të hënën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë të ditur se kishte urdhëruar ushtrinë izraelite të godiste lagjen Dahieh në Beirut, periferinë jugore të qytetit që konsiderohet një bastion i Hezbollahyut.
Një zyrtar izraelit i ka thënë CNN-it se planet për goditjen e Bejrutit ishin koordinuar me Shtetet e Bashkuara.
Urdhri i ri i Netanyahut vjen teksa Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar të hënën se kishin bombarduar objekte radarësh dhe dronësh në Iran. Më pas, Irani ka deklaruar se kishte shënjestruar ushtarë amerikanë në Kuvajt me raketa, të cilat sipas SHBA-së u penguan dhe u rrëzuan.
Sulmet janë përshkallëzimi më i fundit të tensioneve midis SHBA-së dhe Iranit.
Presidenti Trump ka zhvilluar takime me këshilltarët e tij të premten, por ende nuk ka vendosur nëse do të vazhdojë me një marrëveshje për zgjatjen e armëpushimit dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Mediat amerikane kanë raportuar gjatë fundjavës se presidenti Trump, ka kërkuar ndryshime në marrëveshjen e propozuar me Iranin pas takimit me këshilltarët.
Çmimet e naftës po rriten ndjeshëm pasi media shtetërore iraniane raportoi se Irani kishte vendosur të pezullonte bisedimet me Shtetet e Bashkuara, duke shuar shpresat se një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës mund të arrihet në ditët në vijim.
Nafta e papërpunuar Brent që është indeksi global i naftës, është rritur për 6% duke u tregtuar në 97.02 dollarë për fuçi pak para orës 10:00 të mëngjesit të së hënës, me kohën amerikane.
Lëvizjet e fundit vijnë pasi shpresat për një marrëveshje SHBA-Iran kishin ulur çmimin e naftës së papërpunuar Brent me 19.3% në maj, rënia e saj më e madhe mujore që nga marsi 2020 kur filluan bllokimet e pandemisë, sipas analistëve të Deutsche Bank.
Brent është ende shumë nën nivelin maksimal prej 114 dollarësh për fuçi që ishte më 5 prill, por afërsisht 25% më i lartë se sa ishte pak para se SHBA-ja dhe Izraeli të sulmonin Iranin./KOHA/














