Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar pas aktgjykimit të shpallur sot nga Kushtetuesja, ku thotë se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur.
Në një reagim në profilin e tij në Facebook, Kryeziu shprehet i zhgënjyer nga vendimi i Kushtetueses, duke thënë se ky vendim nuk sjell zgjidhje, por përkundrazi – thellon më tej paqartësinë kushtetuese. Ai thotë se edhe pse pika 4 e njoftimit rikonfirmon se e drejta për të propozuar Kryetarin e Kuvendit i takon grupit më të madh parlamentar, vendimi i gjykatës që një kandidat mund të propozohet vetëm tri herë është krejtësisht pa bazë kushtetuese.
“Prisja qartësi dhe rrugëdalje nga bllokada. Fatkeqësisht, ky vendim nuk e ofron këtë. Vendimi për kufizimin në tri herë të kandidimit nuk ka asnjë bazë në Kushtetutë. Efektivisht, Gjykata ka rishkruar nenin 67 të saj”, shkruan ai.
Ai kritikon gjithashtu vendimin e gjykatës për të përcaktuar që votimi duhet të jetë i hapur, duke e cilësuar këtë ndërhyrje si kompetencë politike dhe jo juridike. Ish-gjyqtari thekson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ofron qartësi as për atë që ndodh pas skadimit të afatit 30-ditor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke lënë vend për interpretime dhe krizë të mëtejshme institucionale.
“Gjykata nuk ka treguar cilat janë pasojat juridike të mosrespektimit të këtij afati. As nuk ka sqaruar çfarë ndodh nëse deputetët nuk zbatojnë vendimin”, përfundon Kryeziu.
Kryeziu tutje ka sulmuar ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasanin, duke thënë se po shpiken gjërat si në kohën e tij.
“Me keqardhje e them që kjo gjë është vazhdim i praktikës që ka instaluar Enver Hasani ku vazhdohet praktika e shpikjes së gjërave. Efektivisht, dhe kjo nuk ka si të thuhet ndryshe, Gjykata e ka rishkruar nenin 67 të Kushtetutës”.