Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste kundër Gjykatës Speciale më 7 gusht.
Kjo është bërë e ditur gjatë një konference për media ku udhëheqës të organizatës kanë kritikuar ashpër punën e Dhomave të Specializuara në Hagë.
Në lidhje me mbajtjen e kësaj proteste ka folur për “Gazeta Blic” ish-pjesëtari i Zonës Operative të Llapit, Fatmir Humolli.
Humolli tha se kjo Gjykatë iu ka dhënë kompetencat miqve të Serbisë për me denu luften e Kosovës për liri.
“Protesta e 7 gushtit eshtë e nevojshme për ndërgjegjsimin dhe vetëdisimin e partive politike sidomos të deputetëve që kur marin vendime ato janë me ndikim në jetën e qytetarëve. Gjykata e ndertuar nga Kuvendi i Kosoves është e ngjajshme me vendimin e Kuvendit të Kosoves kur e ka heq autonomin e Kosoves atëhere ja kan dhenë kompetencat per Kosoven, Serbisë, kurse kjo gjykatë ja ka dhenë kompetencat miqve të Serbisë për me denu luften tonë per liri” tha Humolli për “Gazeta Blic”.
Ai tha se përveç protestës duhet të vazhdohet edhe me veprime të tjera politike për t’i tregu botës se nuk është mirë me qenë të padrejtë me shqiptarët.
“Protesta është e nevojshme si fillim por ajo duhet me vazhdu edhe me veprime të tjera politike për ti tregu botes se nuk është mirë me qenë te padrejtë ndaj shqiptarëve” tha Humolli në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.
OVL-UÇK ka paralajmëruar protesta do të jetë paqësore dhe ka për qëllim të kundërshtojë padrejtësitë që, sipas tyre, po u bëhen ish-krerëve të UÇK-së, të cilët tashmë po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.